Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar për sulmin e bërë ndaj gjyqtarit, Tonin Sterkaj në qytetin e Shkodrës.
BE ka shprehur mbështetjen e plotë për gjyqtarët dhe prokurorët e sistemit gjyqësor në Shqipëri, duke thënë se e dënon sulmin e bërë ndaj gjyqtarit.
Ne dënojmë ashpër sulmin e bërë së fundmi ndaj një gjyqtari në Shqipëri. Siguria e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga kërcënimet është thelbësore për pavarësinë e gjyqësorit dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Bashkimi Evropian shpreh mbështetjen e plotë për gjyqtarët dhe prokurorët e sistemit gjyqësor në Shqipëri.
Deklarta e KLGJ:
Duke marrë shkas nga informacionet e përcjella nga media e shkruar dhe vizive si edhe bazuar në informacionin paraprak të Policisë, ditën e sotme lidhur me ngjarjen e ndodhur në banesën e magjistratit z. Tonin Sterkaj, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, Këshilli i Lartë Gjyqësor përcjell shqetësimin për këto akte që cenojnë rëndë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë shqiptare.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon aktin kriminal dhe i kërkon organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen të gjithë gjyqtarëve të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve, pasi respektimi i funksionit dhe dinjitetit të tyre, është parakusht për një proces të rregullt ligjor, për një sistem drejtësie efektiv dhe efikas, por edhe për funksionimin normal të shtetit të së drejtës.