Astronauti i agjencisë amerikane të hapësirës NASA, Matthew Dominick, i cili ndodhet në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) si pjesë e ekuipazhit të Expedition 71, fotografoi Hënën dhe aurora borealis nga një lartësi prej 400 kilometrash mbi Tokë. “Aurorat kanë qenë të mahnitshme për disa ditë. Ishte një mundësi e shkëlqyer për të provuar lentet që mbërritën në Cygnus”, ka shkruar Dominick në rrjetin social X.
Cygnus është një anije kozmike mallrash Northrop Grumman që arriti në ISS më 6 gusht. Dominick dhe anëtarët e tjerë të ekuipazhit të Expedition 71 dëshmuan aurorën e fuqishme gjatë ditëve të fundit, e cila ndodh kur grimcat e ngarkuara të Diellit ndërveprojnë me molekulat e gazit në atmosferën e Tokës. Molekulat e gazit lëshojnë dritë kur arrijnë një nivel energjie më të lartë se normalja, kështu që molekula të ndryshme lëshojnë ngjyra të ndryshme drite. Për shembull, jeshilja është rezultat i oksigjenit.
“Hëna po lëviz drejt horizontit për të perënduar midis aurora borealis të kuqe dhe jeshile. Jam shumë i lumtur që kam kapur këtë moment”, tha ai.