Është arrestuar në Dubai shtetasi Erlind Cekaj i cili rezulton i shpallur në kërkim nga SPAK.
Cekaj akuzohet për kryerjen e veprës penale të ‘Mashtrimit kompjuterik’, në dëm të shumë personave, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
SPAK ka dërguar në vitin 2021 kërkesën për procedim penal me të pandehur shtetasit Adrian Korriku, Irisa Puca, Merxhan Çeliku, Endri Bulku, Erlind Çekaj, të cilët akuzohen për kryerjen e veprës penale të ‘Mashtrimit kompjuterik’, në dëm të shumë personave, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Shqipëria u bë pjesë e grupit të përbashkët hetimor, në përbërje të së cilës janë autoritetet gjyqësore të Spanjës, Gjermanisë, Suedisë, Finlandës, Letonisë, Ukrainës, Gjeorgjisë, Maqedonisë së Veriut, etj, pas zbulimit se një sërë kompanish kanë kryer aktivitetin e ‘call center’, duke kryer dhe mashtrimet online. në platforma mashtruese të shtetasve europianë.
Autoritetet gjermane dhe partnerët zbuluan shpejt se kompanitë, të cilat kishin zgjeruar veprimtarinë e tyre mashtruese në Shqipëri, Ukrainë, Gjeorgji dhe më tej, ishin nën drejtimin e ‘Milton Group’. Pronari i kësaj kompanie u identifikua si shqiptari Amant Josifi, i cili sipas hetimeve të SPAK në bashkëpunim me ‘Eurojust’ dhe ‘Europol’, konsiderohej personi që drejtonte gjashtë qendra të mashtrimit telefonik në Shqipëri, të cilat ishin lidhur drejtpërdrejt me ‘Milton Group’.