Kancelari gjerman, Olaf Scholz, qëndron më 21 gusht në Moldavi, ish-republikën sovjetike që gjendet në kufi me Ukrainën dhe e ndien kërcënimin nga pushtimi i nisur nga Rusia ndaj shtetit fqinj. Scholz do të takohet me presidenten e Moldavisë, Maia Sandu, dhe kryeministrin moldav, DorinRecean, në Kishiniev.
Bisedat do të fokusohen kryesisht në ndikimin e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës në këtë shtet të vogël me 2.6 milionë banorë. Qeveria e Moldavisë, që synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ka akuzuar Rusinë për dezinformim dhe destabilizim. Që nga vitet ’90, ushtarët rusë janë të stacionuar në rajonin e shkëputur të Transnistrisë, një rrip i ngushtë toke në lindje të Republikës.
Scholz vizitoi Moldavinë vitin e kaluar në kuadër të një samiti evropian. Megjithatë, kjo vizitë është vizita e parë bilaterale që një kancelar gjerman ka zhvilluar në këtë shtet në 12 vjetët e fundit.
Gjermania ka mbështetur me mbi 41 milionë euro sektorin e sigurisë së Moldavisë që nga viti 2018, sipas Qeverisë gjermane. Berlini është donatori i pestë më i madh i Moldavisë, që është një prej shteteve më të varfra në Evropë. Si Ukraina, Moldavia është shtet kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2022.
Votuesit në Moldavi më 20 tetor do të votojnë në zgjedhjet presidenciale. Qytetarët po ashtu do të votojnë në një referendum nëse shteti duhet të anëtarësohet në BE, në mënyrë që ky synim të përfshihet në Kushtetutë./ REL