Dy magjistratë hetues francezë kanë lëshuar një urdhër arresti kundër liderit të rrëzuar sirian Bashar al-Assad për bashkëpunim të dyshuar në krime lufte, masa e dytë e tillë nga autoritetet gjyqësore të Francës, tha një burim të martën.
Al-Assad, i cili u rrëzua në fund të vitit të kaluar në një ofensivë të rrufeshme nga forcat opozitare, konsiderohet përgjegjës për një bombardim në qytetin sirian Deraa në 2017 që vrau një civil, tha një burim i afërt me rastin, duke kërkuar të mos përmendet emri.
Kjo masë u dha si pjesë e një hetimi për rastin e Salah Abou Nabout, një shtetas franko-sirian 59-vjeçar dhe ish-mësues francez, i cili u vra më 7 qershor 2017 pas bombardimit të shtëpisë së tij nga helikopterët e ushtrisë siriane.
Gjyqësori francez konsideron se al-Assad urdhëroi dhe siguroi mjetet për këtë sulm, sipas burimit.
Gjashtë zyrtarë të lartë të ushtrisë siriane janë tashmë objektivi i urdhër-arrestit francez për rastin në një hetim që filloi në 2018. “Ky rast përfaqëson kulmin e një lufte të gjatë për drejtësi, në të cilën unë dhe familja ime besuam që në fillim,” tha Omar Abou Nabout, djali i viktimës, në një deklaratë.
Ai shprehu shpresën se “do të zhvillohet një gjyq dhe se autorët do të arrestohen dhe gjykohen kudo që janë”. Autoritetet franceze në nëntor 2023 lëshuan një urdhër-arresti të parë kundër al-Asadit për sulmet kimike në 2013 ku më shumë se një mijë njerëz, sipas inteligjencës amerikane, u vranë nga gazi.
Ndërsa e konsideronin pjesëmarrjen e al-Asadit në këto sulme “të mundshme”, prokurorët publikë lëshuan një apel vitin e kaluar kundër urdhrit me arsyetimin se al-Assad duhet të kishte imunitet si kryetar shteti.
Megjithatë, largimi i tij tani ka ndryshuar statusin e tij dhe imunitetin e mundshëm. Al-Assad dhe familja e tij u larguan në Rusi pas rënies së tij, sipas autoriteteve ruse.