Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ishte sot në një bashkëbisedim me gazetarët për të folur lidhur me ecurinë e procesit të votimeve të 11 majit, me diasporën shqiptare që ka marrë në masë të madhe fletët e votimit dërguar me postë nga Tirana.
Celibashi deklaroi se lista e problematikave të raportuara në procesin zgjedhor është shumë e vogël – vetëm 0.04% e totalit, apo më pak se 100 raste. Ai sfidoi këdo që ka shifra të tjera, t’i mbledhë e t’i paraqesë.
“Lista e thjeshtë për ta kalkuluar, problematikat në atë se ç’është sukses. 0.04%. Numri i problematika të prezantuara në KQZ nuk është më shumë se 100. Kush ka shifër tjetër ti mbledhë. Unë këtë shifër kam.”
Sa i përket marrëdhënies kontraktuale me kompaninë postare që dorëzon fletët e votimit në diasporë, Celibashi tha se nuk mund të merret një vendim përfundimtar në këtë moment, por gjithçka po shtyhet brenda kufijve që lejon kontrata.
“Për marrëdhënien kontraktuale. Kur të vijë momenti do diskutojmë. Nuk vendosim dot tani. Po shtymë për aq sa na lejon kontratën, kompaninë që ta bëjë punën si duhet ta bëjë.”
Ai përmendi se nuk do të kishte asnjë problem nëse do të dërgohej një fletë votimi e dytë apo e tretë, por theksoi se nuk ka kërkesë zyrtare për këtë gjë dhe mungon një nxitje politike.
“Dikush mendonte mund të çonim një fletë tjetër votimi. Personalisht mendoj se nuk do kishte asnjë problem, edhe nëse do dërgonim një fletë votimi të dytë apo të tretë.
Sa kohë që nuk ka një kërkesë për këtë gjuhë dhe shtysë tjetër.”
Lidhur me fotografimin e fletës së votimit nga diaspora, Celibashi theksoi se partitë politike duhet të angazhohen më shumë të bëjnë thirrje dhe se nuk ja vlen të shkohet drejt procedimeve penale për çështje të vogla.
“Mendoj se partitë politike duhet të angazhohen në thirrje të tillë politike. Disa mund ta kenë të thjeshtë të kenë një procedim penal, por nuk ja vlen. Dua të them diçka, nuk mund të mos shpreh kënaqësinë time për masën e madhe të votuesit nga jashtë, që edhe kur kanë patur problematikë e kanë adresuar hapur këtë proces. Nëse ke një problem kontakto KQZ, median. Jemi duke paguar tonelata parash, dhe duhet ta respektojmë këtë proces.”
Ai shprehu kënaqësinë për angazhimin e votuesve nga jashtë, të cilët edhe kur kanë hasur probleme, i kanë adresuar në mënyrë transparente.
“Janë 62% që e kanë marrë, 9% e kanë kthyer mbrapsht. Ka mundësi që shumica dërrmuese ta kthejë, 90% e votuesve nga jashtë ta kthejnë fletën e votimit nga jashtë. Nuk do kishin harxhuar kohë për të marrë fletën e votimit nëse nuk do kishin interes për të votuar. Po ndodh për herë të parë. E kemi bërë në një kohë shumë të shkurtër”, përfundoi kreu i KQZ.