Nga viti 2017, pagat e rreth 110 mijë punonjësve të Administratës Publike do pësojnë rritje në mënyrë të diferencuar. Bëhet fjalë për strategjinë që do të ndiqet në kuadër të reformës që prek Administratën Publike, e cila nuk synon një rritje në bllok për çdo sektor, por një rritje të diferencuar në varësi të përmbushjes së disa kritereve.
Paga e një punonjësi në Administratën Publike do të pësojë rritje duke u bazuar në vlerësimin e vendit të punës, tek arritjet e tij vjetore, tek rezultatet në trajnime të ndryshme që mund të ketë zhvilluar dhe bazuar në karrierën e shërbimit civil.
Kjo do të thotë se punojësit do të shpërblehen sipas meritave të tyre. Do të paguhen më shumë edhe personat në pozicione më të rëndësishme dhe të veçanta. Në buxhetin e vitit 2017, në fokus të qeverisë do të jenë paga minimale, paga në sistemin arsimor dhe shëndetësor, paga në Administratën Publike dhe ajo në Policinë e Shtetit.
Rishikimi i raporteve mes pagës maksimale dhe asaj minimale ka për qëllim ruajtjen e një piramide objektive të pagave dhe motivimin e punonjësve në pozicionet drejtuese.