Agjencia amerikane e inteligjencës e njohur si CIA ka deklaruar se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet Presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar kandidatin e Republikanëve, Donald Trump, që të fitojë zgjedhjet presidenciale.
Një raport në “New York Times” thotë se agjencitë kanë “besim të lartë” në përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane.
Po ashtu, “Washington Post” arrin në të njëjtin përfundim në artikullin e tij.
Prestigjiozja shkruan se CIA ka identifikuar individë që kanë lidhje me qeverinë ruse, të cilët kanë hakuar mesazhet elektronike të kampit Demokrat, mesazhet nga Konventa Nacionale e Demokratëve, përfshirë edhe mesazhet e udhëheqësit të fushatës presidenciale të Hillary Clinton, dhe të gjitha këto ia kanë dërguar WikiLeaks-it.
Këta persona të identifikuar nga CIA, besohet se kanë qenë pjesë e operacionit rus për të ndihmuar Trump-in dhe për të zvogëluar shanset e Clinton-it për të fituar zgjedhjet.
Në tetor të këtij viti, qeveria amerikane ka akuzuar zyrtarisht Rusinë për një fushatë sulmesh kibernetike kundër Partisë Demokratike para zgjedhjeve të tetë nëntorit.
Por presidenti i zgjedhur Donald Trump, i ka mohuar këto akuza duke thënë: “Këta janë të njëjtët persona që thanë se Saddam Husseini kishte armë të shkatërrimit në masë.”
Zyrtarët rus i kanë mohuar gjithashtu këto akuza, ndërsa presidenti akoma në detyrë, Barack Obama ka urdhëruar këtë të premte një investigim për sulmet kibernetike.