Një i ri u vetëvar një ditë më parë në burgun e Rrogozhinës ku po vuante dënimin pas kapjes me një sasi të vogël droge dhe një thike. Viktima u identifikua si Estref Halili 22 vjeç.
Një ditë pas ngjarjes së rëndë, ka reaguar babai i tij, Ardian Halili. Sipas babait të 22-vjeçarit, shkak i këtij akti të rëndë është bërë ngarkesa psikologjike. Ai rrëfen se i biri nuk kishte shumë kohë që kishte dalë nga burgu, i dënuar më parë si përdorues droge.
“Estrefi nuk ka mbushur vitin që doli nga burgu. U lirua në Shkurt por u kap sërish me hashash. U arrestua më 22 dhjetor dhe më 27 dhjetor u transportua në burgun e Rrogozhinës. Djali u prangos pasi u kap me 3 gramë hashash që po e pinin shokët e tij. Ai mori përsipër veprën penale dhe e dënuan me 3 vjet burg. Ndërkohë që trafikojnë hashash me kamionë e nuk u ndodh gjë.”, është shprehur babai i 22-vjeçarit.
Ai ka rrëfyer më tej se katër ditë më parë Estrefin e kishte vizituar në burg vëllai i madh. “Gjatë gjithë kohës së takimit me të, Estrefi rrinte i heshtur.”, ka treguar Ardian Halili.
“Ma morën të gjallë, pse nuk ma sjellin të gjallë. Djali im nuk merrej me gjë, mezi e kam rritur! Ne mezi sigurojmë thesin e miellit”,- është shprehur nga ana tjetër mes lotësh nëna e 22-vjeçarit. (XH.A/SHUPLAKA)