Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka reaguar së fundmi për vendimin e qeverisë për të zgjatur afatin e mbylljes së çerdheve, kopshteve dhe shkollave. Në reagimin e tij, kryetari i Partisë Demokratike shprehet se shkak i mbylljes së këtyre institucioneve nuk është gripi, por ulja e temperaturave dhe pamundësia e qeverisë për ta përballuar.
Ai akuzon kryeministrin Edi Rama se ka harxhuar 400 milionë euro për projektin megalloman dhe abuziv të fasadave dhe shesheve. Sipas tij, Rama ka vendosur që t’ia u japë shkollat me koncesion klinetëve të tij.
Më tej, Lulzim Basha flet për falimentimin e sistemit të shëndetësisë, ku shkruan se mbi 300 milionë euro koncesione janë dhënë në shëndetësi, para që po shkojnë për klientët e Ramës pa i sjellë asnjë përfitim njerëzve, asnjë përfitim të sëmurëve.
Reagimi i plotë i Lulzim Bashës:
Shkollat po mbahen të mbyllura dhe nxënësit larg bankave, për shkak të të ftohtit, dhe jo të gripit.
Gripi është pretekst për të shmangur tragjedinë që mund të shkaktohet nga mungesa e kushteve minimale. Shkollat ku shkojnë pjesa më e madhe e fëmijëve, janë pa ngrohje, pa xhama, janë akull të ftohta. Prandaj edhe temperaturat e këtyre ditëve janë rrezik i vërtetë për fëmijët.
Edi Rama ka harxhuar 400 milionë euro për projektin megalloman dhe abuziv të fasadave dhe shesheve. Ndërkohë i ka lënë shkollat e vendit në gjendje të mjeruar. Për shkollat Edi Rama ka deklaruar se nuk ka para, ndaj ka vendosur që t’ia u japë edhe ato me koncesion klinetëve të tij.
Por gripi që qeveria po përdor si pretekst për mbylljen e shkollave është shenja më e qartë e falimentimit të sistemit të shëndetësisë. Mbi 300 milionë euro koncesione ka dhënë Edi Rama në shëndetësi, para që po shkojnë për klientët e tij pa i sjellë asnjë përfitim njerëzve, asnjë përfitim të sëmurëve. Ndërkohë që qeveria nuk ka fonde për të vaksinuar grupet e njerëzve që rrezikohen më shumë nga gripi.
Tashmë është e qartë se reformat e bujshme rilindase kanë qenë propaganda për të verbuar njerëzit, faqe grabitjes së pasurive dhe fondeve publike me të cilat po pasurohet Edi Rama dhe klientët e tij.
Çdo ditë që Edi Rama qëndron në pushtet është një ditë e keqe për ne dhe të ardhmen tonë. Le ta ndalim së bashku këtë të keqe. Le ta vëmë qeverinë në shërbim të njerëzve.
(XH.A/SHUPLAKA)