Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi në një takim strukturat e saj në qarkun e Korçës. Të pranishëm ishin Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Braimllari, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti si dhe deputeti i Qarkut Korçë, Pirro Kapurani.
Gjatë mbledhjes Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, e vuri theksin tek organizimi i strukturave të LSI-së në Qarkun e Korçës.
Sipas Braimllarit, një LSI më e organizuar është një siguri për stabilitetin e vendit. Gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së u shpreh se vendi nuk ka nevojë për arrogancë por për punë dhe marrje përgjegjësish për t’u dhënë zgjidhje problemeve të qytetarëve.
“Ne kemi një ekip të fortë në Korçë, një ekip të organizuar, gjithëpërfshirës, që është pranë çdo qytetari. Ne do vazhdojmë rrugën e strukturimit dhe të hapjes së LSI-së, sepse një LSI më e organizuar është siguri për stabilitetin e vendit. Vendi nuk ka nevojë për arrogancë, por ka nevojë për punë dhe shërbim, për politikanë që marrin përgjegjësi dhe i japin zgjidhje problemeve të qytetarit”, – tha Braimllari.
Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së theksoi se forca e LSI-së buron te korrektesa, solidariteti dhe energjia pozitive
“Forca e LSI-së buron te korrektesa dhe besnikëria, te solidariteti dhe energjia pozitive. Detyra jonë është të jemi pranë çdo qytetari t’i dëgjojmë dhe t’i shërbejmë, të bashkojmë të gjithë energjitë në shërbim të tyre, sepse aleanca jonë është aleanca me qytetarët”, deklaroi Braimllari gjatë fjalës në takimin me strukturat e LSI-së. (A.R/SHUPLAKA)