Nënkryetarja e Kuvendit Valentina Leskaj, njëherazi dhe kryetare e Grupit të Miqësisë Shqipëri-Izrael, ka marrë pjesë në Ditën e Shqipërisë në Parlamentin e Izraelit, Knesset. Në këtë vizitë ajo ishte e shoqëruar nga Anastas Angjeli dhe deputetja Silva Caka.
Dita e Shqipërisë është një eveniment që zhvillohet për herë të parë në Parlamentin e Izraelit, nën kujdesin e veçantë të Kryetarit të Knesset, Yuli-Yoel Edelstein. Në këtë takim Edelstein nënvizoi se kjo vizitë është një dëshmi e bashkëpunimit në rritje ndërmjet dy vendeve dhe i shërben forcimit të lidhjeve mes të dy parlamenteve. Po kështu Edelstein vuri në dukje rëndësinë e diskutimeve mbi projektet e përbashkëta në fusha me interes reciprok si ajo e energjisë, inovacionit, bujqësisë, turizmit, etj.
Gjatë fjalës së tij ai vlerësoi përfshirjen në një kapitull të veçantë të lëndës së historisë në shkollat izraelite, i cili evidenton kontributin e shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit. “Ne përherë me mirënjohje vlerësojmë faktin se Shqipëria, gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte i vetmi vend në Europë, në të cilin numri i komunitetit hebre u dhjetëfishua në mbarim të saj. Mjafton ky fakt për të thënë gjithçka”, tha Edelstein. Të njëjtën mirënjohje dhe vlerësim Kryetari i Knesset shprehu dhe në një takim të veçantë kokë me kokë me Leskajn.
Edhe Leskaj vlerësoi marrëdhëniet e ngushta të miqësisë mes dy vendeve dhe popujve. Nënkryetarja e Kuvendit vuri theksin në vlerat e përbashkëta që ndajnë popujt të tolerancës fetare, demokracisë, respektit për të drejtat e tjetrit.
Ajo vuri në dukje qëndrueshmërinë e marrëdhënieve mes dy parlamenteve dhe vendeve që kanë krijuar një bazë të mirë për të avancuar veçanërisht në aspektet e ekonomisë, përmes projekteve të rëndësishme zhvillimore në fushën e energjetikës, të teknologjisë së informacionit, të infrastrukturës, bujqësisë, etj. “Në këtë kontekst, investimet izraelite në Shqipëri janë të mirëpritura në të gjitha ato fusha që paraqesin interes reciprok”, u shpreh ajo.
Në kuadër të Ditës së Shqipërisë, takime të rëndësishme u zhvilluan dhe ndërmjet Grupeve Parlamentare të Miqësisë mes Shqipërisë dhe Izraelit, ku morën pjesë dhe Nënkryetarët e Knesset, Yoel Hasson dhe Yehiel (Hilik) Bar. Një takim i veçantë u zhvillua dhe me Kryetarin e Nënkomisionit për Politikën e Jashtme, z. Robert Ilatov. Në bashkëbisedimet me palëve u diskutua për situatën në rajonet respektive, si dhe për bashkëpunimin jo vetëm dypalësh, por edhe në kuadër të organizatave shumëpalëshe.
Dita e Shqipërisë në Parlamentin e Izraelit vijoi me çeljen e ekspozitës “Shqipëria përmes syrit fotografik”, në të cilën u paraqitën fotografi historike dhe artistike nga Shqipëria e viteve 1991-të dhe e vitit 2016-të, në fokusin e fotografit izraelit, Doron Bacher, i cili gjatë këtyre 25 viteve realizoi një set fotografish që nga emigrimi i komunitetit shqiptaro-hebre në Izrael e deri në ditët e sotme, duke vënë në dukje ndryshimet pozitive të Shqipërisë në këto vite.
Pjesë e axhendës, ishte dhe një vizitë në qytetin e vjetër historik, Shfaram, ku Leskaj u mirëprit nga Nënkryetari i Parlamentit të Izraelit, njëherazi dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Izrael-Shqipëri, Hamad Amar. Me interes të veçantë u paraqitën dhe vizitat në institucione të rëndësishme të edukimit të lidershipit në Jerusalem.(J.V/Shuplaka)