Bashkia e Tiranës pranoi pas pyetjeve të rrjetit investigativ BIRN se konkluzionet e një raporti kritik të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi vendimin për rritjen e çmimit të bilietës së transportit urban, qëndrojnë se dhe në të vërtetë, rritja e çmimit nuk qe indeksim, por thjeshtë një rritje e ndërmarrë për të kënaqur operatorët privatë të transportit publik.
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi më 30 dhjetor 2015, në kushtet e mungesës së transparencës, pa e publikuar më parë projektvendimin dhe pa konsultim publik, rritjen e çmimit të biletës së transportit urban nga 30 në 40 lekë.
Një vit më vonë, një raport auditimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit doli në konkluzionin se vendimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës nuk bazohej në rregullat që mbikëqyrin “indeksimin e çmimit” të transportit urban dhe se vendimi qe në dëm të interesave të qytetarëve dhe si i tillë, rritja e çmimit duhet të anulohet.
Pas raportit të KLSH,-së bashkia doli me një variant të ri, duke pranuar se çmimi është rritur pasi ka rënë viktimë e kërcënimeve për grevë të operatorëve të transportit urban në Tiranë.
Bashkia pranoi gjithashtu se formula e përcaktuar në rregullimin e indeksimit të çmimit nuk është zbatuar, siç është vërejtur edhe nga raporti i KLSH-së.
Indeksimi i çmimit nënkupton rritjen e një çmimi të kontrolluar nga autoritetet sipas normës së inflacionit zyrtar të matur nga Instituti i Statistikave. Rritja e çmimit të biletës së transportit urban nga 30 në 40 lekë, e cila nënkupton rritjen e çmimit me 33 për qind, në fakt qe shumë më e lartë se sa rritja e inflacionit nga viti 2008 deri në vitin 2015.
“Vendimi është marrë në kushtet e emergjencës nga ana e Këshillit Bashkiak, për shkak se ekzistonte mundësia e paralizimit të shërbimit nga ana e operatorëve që deklaronin pamundësinë e vazhdimit të tij,” tha Drejtori i Punëve Publike Taulant Tusha për Birn.
Bashkia pranon që vendimi i Këshillit Bashkiak përcakton dhe formulën që bashkia duhet të përdorte për indeksimin e çmimit të biletës, po nuk thotë nëse kjo formulë është përdorur gjatë rritjes së çmimit me 33 % në fillim të vitit 2015.
Sipas raporit të auditimit të KLSH-së, kjo formulë indeksimi nuk është përdorur nga bashkia në vendimin nr.66 ë Këshillit Bashkiak, pasi ajo nuk e justifikonte rritjen e çmimit me 33 %.
“Kur i kërkuam DTTRr përllogaritjen e saktë të formulës së prezantuar në relacionin e VKB nr.66 datë 30.12.2015, morëm përgjigjen finale se nuk është marrë në konsideratë as norma e inflacionit e deklaruar zyrtarisht e as një formulë paraprake,” shkruan KLSH në raport.
“DTTRr konfirmon se kjo rritje çmimi prej 33% është bërë në masa emergjence. Për pasojë, rritja e çmimit të biletës së urbanit në linjat qytetëse është e pabazuar në relacionin bashkangjitur VBK nr 66 datë 30.12.2015”, shton KLSH.
Sipas KLSH-së vendimi i bashkisë Tiranë ishte jo vetëm i gabuar por edhe në dëm të interesi publik.
KLSH i kërkoi Bashkisë së Tiranës marrjen e masave të menjëhershme të përcaktimit të çmimit të biletës në bazë të një formule të saktë ekonomike, e deri në përmbushjen e këtij detyrimi pezullimin e vendimit të rritjes së çmimit të biletës për transportin publik. (A.R/SHUPLAKA)