Dy persona janë konfliktuar duke nxjerrë edhe armët mbrëmjen e djeshme në rrugën “Kajo Karafili”, në kryeqytet. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:50, ku një telefonatë pranë policisë ka bërë me dije për të shtëna me armë.
Detaje:
Nga kontrolli i territorit, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një gëzhojë model 54. Nga verifikimet e kryera është mësuar se shtetasi A. N., 47 vjeç, banues në Tiranë, së bashku me një shtetas tjetër ende të pa identifikuar, kanë patur një konflikt të çastit me shtetasin P. Ll., ku A. N., e ka kanosur dhe shtetasi i pa identifikuar ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në gjende të lirë në ngarkim të shtetasit A. N., për veprën penale “Kanosja”, parashikuar nga Neni 84 i Kodit Penal, si dhe për veprat penale “Kanosja”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”, parashikuar nga Nenet 84, 278 dhe 274 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit ende të pa identifikuar. (J.V/Shuplaka)