Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, mësohet se i ka kërkuar Greqisë që të heqë vulën apostile të Shqipërisë, duke u pajtuar kështu me Konventën e Hagës.
Ai shprehet se heqja e vulës apostile do të çlironte energji pozitive në marrëdhëniet dypalëshe dhe do të lehtësonte kontaktet mes njerëzve, duke reduktuar kështu kostot dhe kohën për legalizimin e dokumenteve.
“Më posaçërisht, zbatimin reciprok të regjimit pa legalizim të dokumenteve, në pajtim me Konventën e Hagës e mezi presim edhe nga Greqia, si një sinjal të qartë të përkushtimit ndaj të drejtës ndërkombëtare dhe standardeve të gjithpranuara në këtë fushë. Një vendim i tillë, në të njëjtën linjë me vendet e tjera anëtare të BE-së, do të çlironte energji pozitive në marrëdhëniet dypalëshe, duke lehtësuar kontaktet mes njerëzve dhe mbi të gjitha duke reduktuar ndjeshëm kostot dhe kohën për legalizimin e dokumenteve. Jam shpresëplotë se do të ecim në këtë drejtim, pasi çdo ditë punojmë për të mundësuar shërbime konsullore të sigurta, transparente dhe me kosto të ulët, dhe jo më radhë të gjata dhe shërbime sipas xhepit”, mësohet të ketë thënë Bushati.
Ndërkaq, Spanja ka hequr vulën apostile me Shqipërinë, duke zbatuar kështu regjimin pa legalizim të dokumenteve dhe lehtësuar procedurat mes dy vendeve. Përmes këtij hapi, i kursehet kohë dhe shpenzimeve shtetasve.
Si Spanja, Italia, Belgjika, Gjermania, kanë hequr vulën apostile. (XH.A/SHUPLAKA)