Ashtu si pritej ditën e sotme ka patur një takim mes sekretarit të përgjithshëm të NATO-së dhe kryeministrit kosovar Mustafa.
Pas takimit me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, Stoltenberg u takua dhe me kryeministrin Isa Mustafa. Gjatë konferencës për mediat Mustafa dhe Stoltenberg diskutuan lidhur me shumë çështje që kanë të bëjnë me Kosovën.
Mustafa u shpreh se në takim ka kërkuar qëndrimin e KFOR-it në Kosovë si dhe mbështetjen e NATO-s për procesin e krijimit të FSK-së në Kosovë.
Mustafa tha se procesi i transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura ka mbet peng sepse nuk kanë përkrahjen e serbëve dhe kjo jo për fajin e tyre, por për shkak ndikimit të Serbisë në ta.
“Kemi biseduar me pjesëtarët e popullatës jo shumicë në Kosovë por ku proces po mbahet peng sepse nuk kemi përkrahen e serbëve, por jo për shkak të tyre por për shkak të ndikimit të Serbisë në ta”, tha Mustafa.
Më tej kryeministri i vendit tha se Kosova e vlerëson lart rolin e NATO-s dhe aspiron të jetë anëtare e saj. “Republika e Kosovës është plotësisht për integrime evropiane dhe euro-atlantike”, tha kryeministri.
Ai tha se prania e KFOR-it në Kosovë është shumë e rëndësishme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.
Kryeministri më tej vlerësoi se Kosova periudhën e fundit është provokuar nga Serbia por tha se janë të interesuar që çështjet me Serbinë t’i zgjidhin përmes dialogut.
Ai tha se procesi i dialogut ka dhënë rezultate dhe mbetet e vetmja alternativë.
Kreu i ekzekutivit të Kosovës tha se institucionet e Kosovës janë të interesuara t’i integrojnë serbët në Kosovë dhe ai tha se popullata serbe është plotësisht e sigurt këtu.
Mustafa duke folur për fqinjësinë në rajon, tha Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me Malin e Zi dhe po bën përpjekje që ta kalojë çështjen e demarkacionit. (E.K/SHUPLAKA)