Formulari i Dekriminalizimit vazhdon ende të ngelet për disa deputetë një problem. Mesa duket disa prejt tyre nuk kanë deklaruar disa prej problematikave e tyre lidhur me pastërtinë e figurës.
Me këtë problem është i lidhur edhe deputeti i PS-së Artan Gace, emri i të cilit u përfol disa ditë më parë për mosdeklarim të një procesi gjyqësor ndaj tij që nuk ishte i deklaruar në formularin e parë që ai ka dorëzuar.
Por sot deputeti Gace ka deklaruar në parlament se “nuk ka asnjë dënim dhe asnjë gjobë në asnjë vend të Europës. Kam hyrë i ndershëm dhe kontribuoj me lekët e miapër të promovuar të rinjtë”, ka thënë ai duke shtuar se emri i tij në listën e “fajtorëve” është për arsye politike dhe se është i gatshëm të lerë mandatin nëse prokuroria ka një provë të vetme.
Në fakt, Opinion.al disponon një dokument sipas të cilit, deputeti Gace ka qenë pjesë e nje procesi gjyqësor në gjykatën e Durrësit në vitet 2006-2007 me akuzën e kontrabandës. Dënimi i dhënë ka qenë gjobë me 200.000 lek. Në vijim të proceseve gjyqësore, siç dhe vërehet në dokument ai është shpallur i pafajshëm dhe automatikisht gjoba ndaj tij nuk është e vlefshme.
Sipas opinion.al në formularin e parë që ka dorëzuar deputeti socialist çështja gjyqësore në ngarkim të tij nuk është përfshirë dhe kjo sipas ligjit parashikon hetim për falsifikim dokumentacioni. Njëkohësisht në një formular të dytë, për të cilin prokuroria pretendon se është dorëzuar jashtë afateve ligjore në KQZ, zoti Gace ka shtuar vendimin që shihet dhe në këtë dokument të publikuar. (J.V/Shuplaka)