Teksa duhen rreth katër orë që të nisë protesta e planifikuar e 18 shkurtit e opozitës, mësohet se janë nisur nga qyteti i Gjirokastrës plot 3 autousë. Rreth 400 persona raportohet se janë nisur nga ky qytet për t’i bashkuar thirrjes së kryedemokratit Basha për pjesëmarrje.
Mësohet se 25 autobusë, konkretisht 2500 persona janë nisur nga Fieri drejt Tiranës. Nga qyteti i Sarandës raportohet të jenë nisur 350 qytetarë që do të protestojnë krahas opozitës.
150 persona raportohet të jenë nisur nga Lezha, 500 nga Kukësi, 10 autobusë dhe 50 makina nga qyteti i Beratit dhe rreth 1200 persona nga Vlora, 6000 nga Dibra dhe rreth 4000 nga Shkodra.
Gjatë gjithë këtyre ditëve, kryetari i Partisë Demokratike ka udhëtuar drejt dhjetëra qyteteve për t’u takuar me qytetarët, të cilëve u është shprehur se 18 shkurti shënon ditën e ndryshimit për qytetarët.
Një ditë më parë, Policia e Tiranës publikoi planin e segmenteve rrugore që do të jenë të bllokuara gjatë ditës së sotme. Në njoftimin e saj, ajo foli për skenar të mundshëm provokimesh nga ana e opozitës, por kjo u hodh poshtë nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili u shpreh se protesta do të jetë paqësore. (XH.A/SHUPLAKA)