Njëri prej të ndaluarve nga policia për grabitjen e 9 shkurtit 2017 në Rinas, Neim Avdulaj, ka treguar ndër të tjera dy vendet e takimit në Tiranë, ku flitej mbi organizimin e grabitjes.
Ai ka treguar përpara prokurorëve dhe policisë se prej tetë muajsh ulej çdo ditë në një kafene përballë bankës që ishte piketuar për t’u grabitur dhe ndiqte nga afër të gjitha lëvizjet që kryheshin, hyrje-daljet. Referuar “GSh”, mësohet se ai ndiqte nga afër makinat e blinduara që shkonin drejt Rinasit.
Në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet, ai ka shpjeguar se ka njohje me shtetasin Admir Çerpja, nëpërmjet kushëriritg të tij Bujar Çerpja, me të cilin ka qënë ushtar në Afganistan.
Pasi ndiqte nga afër lëvizjet e mjeteve të blinduara, me drejtim për në Rinas, nga një kafene në një qendër tregtare në kryeqytet, i raportonte të dhënat Admir Çerpjas.
Ai rrëfen më tej se me shtetasin Ernest Kupa dhe një person nga Tropoja, të quajtur Adi, takohej për të diskutuar mbi planin e grabitjes. Takimet me dy shtetasit, Neim Avdulaj shpjegon se i ka patur tek Fusha e Aviacionit, tek lokali përballë helikopterëve, tek lokal “Marlboro”, tek fusha e aviacionit dhe në “Unazë të Re”,pranë shtëpisë së tij, tek një lokal poshtë lokalit të fëmijëve “Tomi dhe Xheri”. (XH.A/SHUPLAKA)