Deputeti socialist Luçiano Boçi këtë 7 mars kujton rastin e nxënëses 8-vjeçare në një fshat të Tepellenës, e cila ishte dhunuar nga mësuesja e saj.
Sipas deputetit, ky rast shkakton tronditje në sistemin arsimor shqiptar. Boçi shprehet se fajin për këtë situatë e ka sistemi, i cili u ka hequr buzëqeshjen mësueses dhe vogëlushes Esiadë.
“Sistemi e ka “vrarë” tashmë mësuesin dhe po “vret” dhe nxënësin. E ka rrëzuar, shkelur me këmbë. E ka denigruar, lodhur. I ka humbur kuptimin, mundin, rezultatin. E ka bërë mall politik, punëtor mëditës, të zëvendësueshëm shpesh dhe të rrejshëm.
Këtë e ka provuar në kurriz dhe Esiada dhe të tjerë e të tjerë. Esiadës i ka munguar buzëqeshja e ngrohtësia e mësueses. Sistemi ja ka hequr dhe mësuesja jeton tashmë pa të. Po fëmijët nuk munden të mos ta kenë.”, shprehet Boçi.
POSTIMI I BOÇIT
Dua “ta vras” me dashuri mësuesen time!
U trondita nga mendimi i hedhur në ditar i nxënëses së vogël. Thënia në portale “dua ta vras mësuesen time” mori dhenë në këtë prag 7 Marsi dhe nxiti mijëra opinione të ndryshme. Stepja ishte gjëja e parë që më ndodhi. U mundova të gjeja më pas diku fëmijërinë time aty. Gërrmova thellë në kujtime. Arrita deri tek përbetimet e bëra me inat ndaj mësueses, që “një ditë do më binte dhe kjo në dorë e do hakmerresha”, kur “ajo” e dashura mësuesja ime “guxonte” te më vendoste notën e padëshiruar. Por të nesërmen gjithcka ishte dicka tjetër. Unë përpiqesha t’i tregoja që meritoja më shumë dhe doemos doja që ajo të ndihej në faj. Në bindjen time, këtë kanë bërë të gjithë. Dhe Esiada e vogël kështu ka vazhduar.
Në gjithë këtë “luftë” të sajuar në mendjen time në fund unë doja vetëm një gjë: buzëqeshjen e vështrimin e saj!
Kur i merrja, madhështia e figurës së mësuesit e mbyste mendimin tim liliput dhe adhurimi ngjiste dalngadalë mbi inatin tim.
Kur m’i shmangte un-i im prej fëmije, shkonte dhe më larg…
Kjo i mungoi dhe Esiadës së vogël. E ka kërkuar me ditë. E ka pritur fjalën e ngrohtë, të mirë, buzëqeshjen e munguar muajsh.
Por mësuesja ka vazhduar ndëshkimin…
E pavëmendshme, e coroditur, dhe e zemëruar mësuesja bëri që Esiada të shpërthejë në një akuzë therëse, tronditëse, të sinqertë. Akuzë përtej moshës dhe fëmijërisë.
Por akuza e Esiadës nuk është akuza e nxënësit ndaj mësuesit. Për mua është akuzë ndaj të gjithëve ne. Mbi të gjitha është akuza më e vërtetë ndaj të gjithë sistemit. Esiada ka goditur fort këmbanën e alarmit të gjendjes së shkollës sonë.
Sistemi e ka “vrarë” tashmë mësuesin dhe po “vret” dhe nxënësin. E ka rrëzuar, shkelur me këmbë. E ka denigruar, lodhur. I ka humbur kuptimin, mundin, rezultatin. E ka bërë mall politik, punëtor mëditës, të zëvendësueshëm shpesh dhe të rrejshëm.
Këtë e ka provuar në kurriz dhe Esiada dhe të tjerë e të tjerë. Esiadës i ka munguar buzëqeshja e ngrohtësia e mësueses. Sistemi ja ka hequr dhe mësuesja jeton tashmë pa të. Po fëmijët nuk munden të mos ta kenë.
Ne duhet t’ja kthejmë mësuesit buzëqeshjen me bindjen që ai e ndan me fëmijët tanë.
Ne duhet ta ngrejmë, ta vlerësojmë dhe t’i japim atë vend që ai ka merituar gjithmonë në jetët tona.
Si mesazher i diturisë e përcues i së mirës dhe së bukurës!!!
Unë jam i bindur që Esiada e vogël sapo të merrte buzëqeshjen që mësuesve i është hequr me përdhunë, do të gdhendte fjalët:
Unë dua “ta vras” me dashuri mësuesen time!
Gëzuar mësuesë e pedagogë kudo që jeni 7 marsin magjik!
Gëzuar Esiada!
Gëzuar nxënës, studentë e prindër! (D.D/Shuplaka)