Kreu i opozitës Lulzim Basha reagon pas lajmit për një shkarkim apo dorëheqje të mundshme të ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri.
“Qeveria duket se është në grahmat e saj të fundit. Në fakt, ka tre javë që nuk bën më asnjë punë, përveç se përgjon protestën e qytetarëve, popullin e vet. Sado që të përgjigjet, sado që të shtinë fall, të lexojnë filxhanat e kafesë pas fasadave të qeverisë, konkluzionin ua kemi thënë. Ne jemi këtu, jemi ngritur bashkë në këtë shesh, deri në largimin e qeverisë të bërë njësh me krimin dhe drogën. Ua kemi thënë dhe ua përsërisim se për ne kjo lëvizje i ka tejkaluar kufijtë e çdo partie politike. I ka tejkaluar kufijtë e PD, i ka tejkalur kufijtë e opozitës. Është sot lëvizja më e madhe popullore, qytetarëve dhe kombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndaj, nuk jemi mbledhur këtë as për ‘koka turku’, as për ‘koka delesh’, as për ‘koka kecash’. Jemi mbledhur këtu për standardin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Zgjedhje të lira dhe të ndershme me një qeveri dhe kryeministër garant me krimin, nuk mund të ketë.
Çfarëdo thashethemesh e prapaskenash të kurdisin, mesazhi ynë është një dhe i pandryshuar. Qëndresa jonë është vendosur deri në krijimin e një qeverie teknike, lajmi se ka shkarkuar Tahirin është në radhë të parë një truk për t’i hedhur hi syve shqiptarëve, për t’i hedhur hi syve opinionit ndërkombëtar, për t’i hedhur hi syve protestuesve që janë këtu ditë e natë për 22 ditë me radhë.
Një përpjekje mjerane për t’i shpëtuar drejtësisë, për shkallën e mosbesimit që ka përfshirë çdo shqiptar se ai nuk mund të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Për bindjen se qenia e vet e Edi Ramës përbën kërcënimin për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për vetë lidhjen me kriminelët që i liroi nga burgjet pikërisht për pushtetin e tij. Kjo protestë nuk bëhet për pushtetin e opozitës, apo të Lulzim Bashës, do të mbarojë vetëm kur t’i garantojë çdo qytari votën e lirë.
Duke refuzuar truket dhe fasadat për t’i shpëtuar përgjegjësisë nuk mund të mos ju uroj secilit prej jush, ju uroj sepse sido që ta sjellin e përcjellin lajmin, fakti është se më shumë se tre vite opozita e ka kërkuar dorëheqjen e Tahirit por Rama nuk është përgjigjur, prej më shumë se dy vitesh bashkëpunëtori i tij në koalicion ia ka kërkuar por ai i hoqi ministrin e drejtësisë, partnerët tanë strategjik ia kanë kërkuar dhe ky është tallur, eh pra nëse lajmi është i vërtetë kjo fitore është vetëm e juaja. Forca e vetme e ndryshimit në këtë vend është bashkimi qytetar dhe kjo lëvizje popullore. Sot nuk është koha as për eufori dhe për festë, por për qëndresë se beteja që kemi përpara mund të fitohet vetëm përmes kurajos dhe sakrificës.”, tha Basha. (D.D/Shuplaka)