Kancelarja gjermane Angela Merkel ka shtyrë për të premten vizitën në SHBA, ku pritet të takohet me presidentin Donald Trump. Vizita e kancelares gjermane Angela Merkel me presidentin e ri amerikan, Donald Trump ishte planifikuar për të martën, por është shtyrë për shkak të kushteve atmosferike.
Lajmin e bëri të ditur të hënën zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer në Uashington, ku ndër të tjera theksoi se arsyeja për shtyrjen e vizitës së Merkel është një stuhi e pritshme bore në brigjet lindore amerikane, ndërsa kancelarja anuloi vizitën pak para fluturimit.
Tema e bisedimeve të pritshme mes dy liderëve janë ato të partneritetit tregtar mes BE dhe SHBA, siguria dhe vlerat.
Merkel kërkon t’i bëjë të qartë Trump se Gjermania dhe BE janë një, dhe se nuk mund të ketë një marrëveshje tregtare vetëm mes SHBA-së dhe Republikës Federale Gjermane. Ajo do të theksojë rëndësinë e tregjeve të lira për bashkëpunimin.
Edhe pas marrjes së postit, presidenti i ri amerikan, Donald Trump shkakton nervozitet dhe pasiguri në politikën gjermane.
(M.D/ Shuplaka)