Të ftuar në emisionin “Studio e Hapur” e gazetares Eni Vasili, kreu i Aleancës Kuqezi ka debatuar me avokatin Spartak Ngjela dhe analistin Shpëtim Nazarko.
Ndërsa Ngjela tha se Partia Demokratike e cila kërkon krijimin e një qeverie teknike, mund të gjendet në një pozitë të vështirë pasi Rama mund t’i thotë voto Vettingun dhe pastaj të japim qeverinë teknike. Mirëpo kjo sipas Ngjelës nuk është një gjë e mirë.
“Nuk jemi përpara mos hyrjes së PD në zgjedhje. PD ka shkuar si breshka te nallbani, ka kërkuar patkonj. Kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve, dhe këta tani i thotë voto vettigun e t’i shtyjmë. Po nëse votohet vettingu, këto të tjerat realizohen. Menjëherë me miratimin e ligjit, fillon reforma në akt. Ai me një padi, duhet të japë dorëheqjen si deputet. Dhe këta e dinë këtë gjë. Ndaj duhet të kishin hyrë në zgjedhje sa më parë të ishte e mundur. Në politikë është gabim i madh kur fsheh problemin kryesor me një problem anësor. Ata thonë duam qeveri teknike, nuk thonë nuk duam reformën në drejtësi. Ndaj këta do t’i thonë voto vettingun dhe të japim qeverinë teknike”, tha Ngjela.
Ndërkohë Nazarko tha se Rama është mëse i qetë pasi ai nuk po shkel kushtetutën, pasi nuk po e detyron PD-në të mos marrë vetë pjesë në zgjedhje, madje është vetë PD-ja ajo që nuk do të marrë pjesë.
“Unë e di që nuk është demokratike të pengosh opozitës së hyjë në zgjedhje, por nëse ajo nuk do të hyjë vetë, atëherë Rama është i qetë. Kushtetuta na garanton stabilitet më shumë seç nga garanton Rama, Meta, apo të gjithë partitë. Rama nuk po e thyen kushtetutën, madje thotë që data është e caktuar sipas ligjit. Zgjedhjet janë të popullit. Në 2009 kur u bë ky sistem zgjedhor që nuk të jep epërsi të mëdha, mban sistemin e tre partive. Në 2011 filloi dekompozimi i PD, që u pa në 2013. PD ka shumë probleme jo vetëm me zgjedhjet, ku numerikisht ka qenë më pak se e djathta, por ka edhe problemet e veta. Është kënaqësi , që nga një kafshë agresive si krokodili shkon te ngjala, peshku, e deri te butaku. Le ta marrim pak me humor. Ta zëmë se PD nuk hyn në zgjedhje të cilat i ka të humbura. Unë nuk e quaj lojë këtë, se Rama i ka votat e nevojshme”, tha Nazarko.
Këto dy deklarata siç duket e kanë acaruar kreun e AK-së Kreshnik Spahiu, i cili menjëherë është kundërpërgjigjur me fjalët:“Ke një kryeministër që brenda një mandati është ulur gjithë ato herë me kryeministrin serb, dhe nuk është ulur njëherë në tavolinë me kreun e opozitës së vendit të tij. Të gjithë tryezat për fatin Shqipërisë, ky i bën o te ngjalat, o te peshku”.
Sido që të shkojnë gjërat, pas zhvillimeve të fundit politike në fakt duket sikur po shkohet më shumë drejt krijimit të një qeverie teknike, pasi pozitat e ramës pas deklaratave të fundit të Metës nuk duken më të favorshme.
Kreu i Kuvendit Ilir Meta deklaroi një ditë më parë se nuk do ta vazhdonte koalicionin me PS-në nëse Rama nuk krijon një “qeveri besimi” për opozitën, madje ofroi mandatet e LSI-së në qeveri, në mënyrë që opozita të ketë një rol në procesin zgjedhor. (D.D/Shuplaka)