Letrat e borxhit qeveritar, bonot e thesarit 12 dhe 6-mujore vijuan të shiten edhe sot me interes në rënie. Rezultatet e ankandit që u zhvilluan gjatë paradites në Ministrinë e Financave tregojnë se Bonot e Thesarit 12-mujore u shitën kundrejt një interesi 2.14% me nga 2.34% që u shitën në ankandin e 23 marsit, me një rënie prej 0.2 pikë përqindje.
Rënie më të moderuar patën interesat në bonot 6-mujore. Ato u shitën kundrejt interesit 1.60% nga 1.75% që ishte interesi më 23 mars kur u bë ankandi më i fundit i bonove 6-mujore. Rënia interesit në këtë maturim ishte 0.1 pikë përqindje.
Sipas të dhënave të detajuara të ankandit, bankat ishin më të interesuara për të investuar në bonot 12-mujore, ku ofruan 10.5 miliardë lekë nga 8.7 miliardë lekë që kërkoi qeveria. Ndërsa për bonot 6-mujore oferta me kërkesën kanë qenë në të njëjtën kuotë 3.4 miliardë lekë. Pasi ka parë preferencën e Bankave, qeveria ka ndryshuar planin në momentin e fundit.
Qeveria kishte planifikuar të emetonte 4 miliardë lekë bono 6-mujore, por e ka ndryshuar planin në momentin e fundit duke e zbritur atë në 3.4 miliardë lekë, diferenca është shtuar në maturimin 1-vjeçar, ku planifikimi u rrit në momentin e fundit në 8.7 miliardë lekë nga 8.2 miliardë që ishte lajmëruar në ankand.
Bankat po shtojnë kërkesën për investime në borxhin qeveritar teksa shihet se po mbajnë të ngrira ritmet e kreditimit.
Ecuria normave të interesit për letrat e borxhit qeveritar gjatë vitit të kaluar nuk ka qenë e njëtrajtshme.
Yield-et ndoqën një prirje të fortë rënëse në pjesën e parë të vitit dhe prirje rritëse në pjesën e dytë të tij. Krahas politikës monetare lehtësuese, kjo ecuri ka reflektuar dhe dinamikat e kërkesës dhe ofertës për fonde në tregun primar. Panoramë e ngjashme u shfaq edhe tek yield-et e obligacioneve.
Në terma mesatarë, yield-i i bonos 12-mujore është ulur me 1.5 pikë përqindje nga viti i kaluar, ndërkohë që yield-et e instrumenteve afatgjata të borxhit janë ulur me 2.3 pikë përqindje. Kjo dinamikë është reflektuar në zhvendosjen për poshtë të kurbës së yield-eve dhe sheshimin e saj në krahasim me një vit më parë, analizon Banka e Shqipërisë.
Pesha e sektorit bankar në mbajtjen e borxhit të qeverisë i është rikthyer rritjes në vitin 2016, pas rënies që kishte nisur vitet e fundit.
Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në vitin 2016, bankat tregtare në vend mbajtën 60.29% të borxhit të brendshëm me një zgjerim prej 2.09 pikë përqindje në krahasim me vitin 2015./Revista Monitor