Ngjarja e djeshme në Gjermani ku pati një shpërthim pranë autobusit të skuadrës së Dortmundit ka nxitur frikë në gjithë botën e futbollit. Deri më tani është vënë në pranga njëri prej të dyshuarve për sulmin.
Zyrtarët po i trajtojnë shpërthimet e djeshme si një sulm terrorist, tha një zëdhënëse e prokurorit federal të Gjermanisë, në Karlsruhe. Prokurorët federalë, të cilët kanë përgjegjësinë për të hetuar krimet e lidhura me terrorizmin, tashmë kanë marrë në dorë çështjen.
Prokurori udhëheqës i këtyre hetimeve, Frauke Koehler tha se “dy të dyshuar me rrënjë islamike janë bërë fokusi i hetimit. Apartamentet e atyre janë bastisur, ndërsa njëri prej tyre është arrestuar”. Koehler tha se tri letra me të njëjtën përmbajtje u gjetën pranë vendit të shpërthimit, të cilat sugjeronin se agresorët kishin lidhje me Shtetin Islamik.
“Mes gjërave të tjera, ata kërkonin tërheqjen e avionëve luftarakë gjermanë ‘Tornado’ nga Siria dhe, e nënvizoj, mbylljen e bazës ajrore Rammstein”, tha zëdhënësja për letrat. Ato po analizohen për autenticitetin e tyre.
Një tjetër letër, e cila u publikua “online” dhe ku grupet ekstremiste të majta pretendonin autorësinë e sulmit, sipas prokurorëve nuk është origjinale dhe për këtë kanë arsye të forta. (E.K/SHUPLAKA)
