Presidenti i Kosovës Hashin Thaçi, shprehet i vendosur për krijimin e ushtrisë së Kosovës, pasi sipas tij, pa ushtri nuk ka partneritet për paqe dhe nuk ka as NATO.
NË një intervistë për “Top Channel”, Thaçi deklaroi se askush nuk mund ta pengojë këtë proces deri në pafunndësi dhe t’i vërë veto.
“Kosova është vend i pavarur dhe Sovran dhe çdo vend sovran ka ushtrinë dhe synimi ynë, vizioni ynë është të jemi pjesë e NATO-s. Pa ushtri nuk ka partneritet për paqe dhe nuk ka NATO. Ne do të punojmë që ushtria e Kosovës të jetë ushtri e të gjithë qytetarëve dhe një ushtri shumetnike për t’i shërbyer çdo qytetari, në çdo cep të vendit, për të ruajtur integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Ne do të punojmë në mënyrë gjithëpërfshirëse, në koordinim të plotë me SHBA dhe NATO dhe do t’i shterrojmë të gjitha mundësitë për të diskutuar edhe me serbët. Por askush nuk mund ta pengojë këtë proces deri në pafundësi dhe të vërë veto.”, shprehet presidneti kosovar.
Presidenti Thaçi tha se përsa i përket çështjeve ende të pambyllura me Serbinë, të dyja palët duhet të ulen në dialog dhe të mos e zgjasin deri në pafundësi.
“Unë i besoj përpjekjeve aktive dhe të gjithanshme që për një periudhë të shkurtër kohore të përmbyllen çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura. Nuk jam në favor të një procesi zvarritës dhe raskapitës deri në pafundësi. Ne duhet të ulemi dhe të diskutojmë në mënyrë shumë dinamike dhe me një agjendë shumë të qartë, që do të ishte një marrëveshje më e madhe politike që do të nënkuptonte një lloj përpjekje për normalizimin e plotë, fqinjësi të mirë dhe pajtim ndërshtetëror Kosovë-Serbi. Jam i bindur se gjërat që mund t’i zgjdihim për tre muaj nuk kemi nevojë t’i zvarrisim për tri apo pesë vite.”. tha Thaçi. (D.D/Shuplaka)