Kristiano Ronaldo padyshim që ka qenë mbrëmë njeriu i ndeshjes në fitoren e Realit 3-0 ndaj Atletikos.
Ylli portugez i Realit e konsideron si një sukses plotësisht të merituar, madje që mund të ishte akoma më i thellë, nëse Oblak nuk do kishte bërë aq shumë pritje.
Më tej, ai shkund merengesit sa i përket kualifikimit, pasi i paralajmëron që në ndeshjen e kthimit, kanë për ta pasur mjaft të vështirë.
Si e komentoni këtë fitore kundër Atletikos?
Duhet të përgëzoj të gjithë ekipin, i cili ishte i jashtëzakonshëm. Pata fatin që t’i shënoj unë të tre golat. Luajtëm më mirë se kundërshtari që nga minuta e parë deri tek e fundit dhe e merituam një rezultat të tillë.
E kishit menduar se mund të fitonit me tre gola diferencë?
Nuk ishte diçka e rastësishme, pasi të gjithë golat erdhën nga një proces natyral i lojës, me një dominim të ekipit tonë. Kemi kërkuar të shënojmë në mënyrë konstante, por Oblak bëri disa pritje të shkëlqyera. Mund të kishim fituar edhe më thellë…
Një tripletë e juaja që vlen për të afruar Realin me finalen e Champions-it…
Jam me të vërtetë i lumtur. Jo vetëm që ndihmova skuadrën për një fitore të rëndësishme, por edhe sepse kapa kuotën e 400 golave me fanellën e Realit të Madridit.
Mendoni se kaq ka mjaftuar për të siguruar kualifikimin?
Sigurisht që është një avantazh i madh dhe për këtë jemi të vetëdijshëm. Por, asnjëherë nuk mund të mendojmë se kualifikimi është siguruar. Atletiko është një ekip mjaft i fortë në fushën e vet dhe nëse ne shkojmë të shpërqendruar, mund të vuajmë. Në gjysmë-finalet e Champions-it, asnjëherë nuk ke përballë ekipe të lehta.
Tifozët ju duartrokitën gjatë gjithë kohës në “Santiago Bernabeu”…
Unë u kam kërkuar vetëm që mos të më vërshëllejnë. Nëse më duartrokasin, atëherë është shumë mirë.