Për herë të parë pas marrjes së detyrës së ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj ka dhënë një intervistë në studio televizive. Madje nuk ka kursyer as paraardhësin e tij nën drejtimin e Ministrisë Saimir Tahiri.
Edhe pse jo direkt Xhafaj ka pranuar që Tahiri përtej energjisë që e karakterizonte ka bërë disa gabime nën drejtimin e Ministrisë.
“Paraardhësi im ka qenë një djalë i ri kur është ulur në karrigen e ministrit dhe që ka punuar me pasion të jashtëzakonshëm për të bërë gjëra të mira dhe ka bërë gjëra të mira.
Ka bërë gjëra të mira në përbërjen dhe arsimimin e policisë së shtetit, por edhe në motivimin e policisë së shtetit.
Natyrisht në gjithë këtë përpjekje të madhe dhe pasion ndoshta edhe nga mungesa e përvojës ka bërë edhe gabimet e veta. Nëse ai i sheh sot me qetësi do të fliste për arritje pozitive dhe mangësi në punën e tij”, tha Xhafaj.
Megjithatë akuzën më të rëndë Xhafaj ia bëri Tahirit gjatë intevistës kur foli për kanabisin. Ai pranoi se lëvizjet në policinë e shtetit lidheshin me çështjen e kanabisit.
“A mund të ndodhë kjo që ndodhi me kanabisin jashtë policisë? Absolutisht jo”. Ndryshe nga Tahiri që deri në një periuudhë kohe e mohoi fare prezencën e kanabisit, Xhafaj ka një mendim krejt ndryshe.
“Qoftë në Përmet, Lezhë dhe Gjirokastër. Ua kam bërë të qartë. Do të përgjigjet për cdo rrënjë kanabisi. Është e pamundur që atje ku mbillet kanabis të mos e shohë polici i zonës, polici i pyjores apo dhe kryeplaku me banorët.
Ka pasur segmente të policisë të implikuara në këtë trafik. Ata ose janë paguar për heshtjen e tyre, ose janë blerë për të bashkëpunuar. Disa drejtues të policisë vendore minimalisht kanë heshtur. Nuk mund të them se ata kanë qenë të përfshirë, por minimalisht kanë heshtur” , përfundoi Xhafaj.
Kujtojmë se Xhafaj që prej marrjes së detyrës ka pasuar me një sërë lëvizjesh në rradhët e Policisë në nivel drejtorash dhe zëvendësdrejtorash. (E.K/SHUPLAKA)