Kryebashkiaku Goro dhe 13 punonjës të tjerë të bashkisë akuzohen për një dëm prej 76.4 milionë lekë, për shkelje në projektin e rehabilitimit të sheshit në Borsh, për likuidime pagesash për punë të pakryera.
Ndër të tjerë, janë kallëzuar penalisht Drejtori i Planifikimit, Zhvillimit dhe Kontrollit të Territorit, Drejtori i Shërbimeve dhe Mirëmbajtjes, Përgjegjësi i Zyrës Juridike anëtarë të Njësisë së Hartimit të Dokumenteve të Tenderit (NJHDT), anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) dhe Mbikëqyrës Punimesh.
Njoftimi i KLSH-së:
Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 1233/1, datë 15.12.2016, ndryshuar me nr. 1233/2, datë 31.01.2017, ka përfunduar auditimin në Bashkinë Himarë dhe Njësitë Administrative, ish-Komunat Lukovë dhe Horë-Vranisht për periudhën 01.07.2014 deri më 31.12.2016, me objekt:
“Auditimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare”. Me Vendimin nr. 37, datë 29.04.2017 të Kryetarit të KLSH-së, është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe me shkresën nr. 1233/15, datë 30.04.2017, me qëllim përmirësimin e gjendjes i janë rekomanduar Bashkisë Himarë masa me karakter organizativ në lidhje me eleminimin e praktikave që kanë sjellë impakt negativ në buxhet në vlerën 341.3 milion lekë dhe masa për shpërblimin e dëmit ekonomik të shkaktuar në vlerën totale 76.4 milion lekë.
Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi, në fushën e menaxhimit dhe zbatimit të buxhetit, lidhur me likuidimin e pagesave për punë të pakryera, në fushën e procedurave të prokurimit publik, mbi përcaktimin e kritereve konkuruese për marrjen pjesë në prokurime, në vlerësimin e ofertave ekonomike, në zbatimin e punimeve, në fushën e tatim-taksave, si dhe në ruajtjen e administrimin e dokumenteve e konkretisht për:
1. Z. J.G. me detyrë Kryetar i Bashkisë Himarë, në cilësinë e Titullarit të Autoritetit Kontraktor;
2. Z. K.K. me detyrë inspektor i vlerësimit dhe i kontrollit në terren në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore, në cilësinë e anëtarit të NJHDT;
3. Znj. B.RR. me detyrë Inspektore e regjistrimit dhe procedurave në Drejtorinë e të ardhurave, në cilësinë e anëtarit të NJHDT;
4. Z. TH.S. me detyrë Përgjegjës i Zyrës Juridike, në cilësinë e anëtarit të NJHDT dhe anëtarit të KVO;
5. Znj. M.L. me detyrë ish-Përgjegjëse e Financës, në cilësinë e anëtarit të NJHDT;
6. Z. F.B. me detyrë specialist i lartë ndërtimi, në cilësinë e anëtarit dhe Kryetarit të KVO;
7. Z. E.M. me detyrë specialist i topografisë, në cilësinë e kryetarit të KVO dhe anëtarit të NJHDT;
8. Znj. I.LL. me detyrë kontabiliste për të ardhurat e shpenzimet, në cilësinë e anëtarit të KVO;
9. Z. S.K. me detyrë specialist ndërtimi në Drejtorinë e Shërbimeve, në cilësinë e anëtarit të KVO;
10. Z. O.V., me detyrë specialist prokurimesh, në cilësinë e Kryetarit të KVO;
11. Z. A.B. me detyrë Drejtor i Mirëmbajtjes, në cilësinë e anëtarit të KVO.
Në 9 procedura të prokurimit publik, NJHDT ka vendosur kritere diskriminuese apo kritere të cilat nuk i përkasin vlerës apo rëndësisë së prokurimit, duke kufizuar pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë dhe duke ulur konkurrencën, si dhe KVO ka shpallur fitues operatorët ekonomikë të cilët nuk plotësojnë kriteret e veçanta për kualifikim të miratuara në DST, duke i kualifikuar këta operatorë në po të njëjtat kushte me operatorët e s`kualifikuar, në shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera, si dhe veprime me impakt negativ në buxhet për procedurat e prokurimit të shpallura fituese në vlerën 341,2 milion lekë dhe favorizim me pa të drejtë të operatorëve ekonomikë, të cilët nuk garantojnë cilësinë e investimit të prokuruar, me një dëm ekonomik në shumën 21,9 milion lekë, shkaktuar nga diferenca e vlerave të ofertave ekonomike, veprime në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar dhe VKM nr. 914 datë 29.12.2014 “Për Miratimin e Rregullave të Prokurimit Publik”.
Praktikat e përmendura i takojnë 9 objekteve të prokurimit:
* “Shëtitorja Qeparo Faza II”;
* “Rrjeti i jashtëm i ujësjellësit me vetëderdhje i fshatit Palasë dhe i komplekseve turistike”;
* “Rehabilitim i qendrës së fshatit Borsh”;
* “Rehabilitim urban i sheshit të Lukovës”;
* “Shërbimi i pastrimit Himarë”;
* “Shërbimi i pastrimit në Njësinë Administrative Lukovë”;
* “Rikonstruksion i kanalit Ujitës Vranisht Terbac”;
* “Ndërtimi i ujësjellësit Bolene”;
* “Ura në rrugën Kondraqe – Qendër – Kallam – Lagja Gjilekë – Dhërmi”.
12. Z. G.S. me detyrë Drejtor i Planifikimit, Zhvillimit dhe Kontrollit të Territorit, në cilësinë e personit për marrjen në dorëzim të dokumentacionit tekniko-ligjor të zbatimit të punimeve, pasi për 7 investimeve publike të realizuara nga Bashkia Himarë, me vlerë investimi prej 96,9 milion lekë, nuk ka vënë në dispozicion të KLSH-së asnjë dokumentacion për zbatimin e punimeve, veprime në kundërshtim me ligjin nr. 154/2014, datë 27.11.2014 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, si dhe nuk ka administruar dokumentacion mbi realizimin e investimeve, cilësinë e zbatimit të punimeve dhe marrjen në dorëzim të tyre, veprime në kundërshtim me ligjin nr. 8402, datë 10.09.1998 “Për Kontrollin dhe Disiplinimin e Punimeve të Ndërtimit”, UKM nr. 2 datë 13.05.2005 “Për zbatimin e punimeve të ndërtimit” dhe UKM nr. 1, datë 16.06.2011 “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit”.
Praktikat e përmendura i takojnë 7 objekteve:
* “Rehabilitimi i sheshit Kudhës”;
* “Rrjeti i jashtëm i ujësjellësit me vetërrjedhje i fshatit Palasë”;
* “Rikonstruksion i kanalit ujitës Vranisht-Tërbaç”;
* “Rikonstruksion shkollë e mesme Hore – Vranisht”;
* “Rikonstruksion i rrugës hundexhepe Bolenë”;
* “Punime lagja Rinaj dhe Ferrunaj”;
* “Ndërtim rruge varreza Vranisht”.
13. Z. R.S. nën cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve dhe
14. Z. E.T. nën cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve, për investim jo në përputhje me kriteret e kontraktuara dhe dëm ekonomik në vlerën prej 10.9 milion lekë, për shkak të punimeve të pakryera, por të situacionuara dhe paguara, si dhe mangësi të theksuara në dokumentacion tekniko-ligjor (dokumente fiktive dhe që nuk pasqyrojnë realitetin), për investimin “Shëtitorja Buzë Detit Qeparo, Faza II”, veprime në kundërshtim me ligjin nr. 8402, datë 10.09.1998 “Për Kontrollin dhe Disiplinimin e Punimeve të Ndërtimit” dhe Udhëzimin nr. 1, datë 16.06.2011 “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit”.
KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga
J.G. me detyrë Kryetar i Bashkisë Himarë, në cilësinë e Titullarit të Autoritetit Kontraktor,
K.K. me detyrë Inspektor i vlerësimit dhe i kontrollit në terren në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore, në cilësinë e anëtarit të NJHDT,
B.RR. me detyrë Inspektore e regjistrimit dhe procedurave në Drejtorinë e të ardhurave, në cilësinë e anëtarit të NJHDT,
Z. TH.S. me detyrë Përgjegjës i Zyrës Juridike, në cilësinë e anëtarit të NJHDT dhe anëtarit të KVO,
M.L. me detyrë ish-Përgjegjëse e Financës, në cilësinë e anëtarit të NJHDT,
F.B. me detyrë Specialist i lartë ndërtimi, në cilësinë e anëtarit dhe Kryetarit të KVO,
E.M. me detyrë Specialist i topografisë, në cilësinë e kryetarit të KVO dhe anëtarit të NJHDT,
I.LL. me detyrë kontabiliste për të ardhurat e shpenzimet,në cilësinë e anëtarit të KVO,
S.K. me detyrë specialist ndërtimi në Drejtorinë e Shërbimeve, në cilësinë e anëtarit të KVO,
O.V. me detyrë Specialist prokurimesh, në cilësinë e Kryetarit të KVO,
A.B. me detyrë Drejtor i Mirëmbajtjes, në cilësinë e anëtarit të KVO, në kundërshtim ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”,
G.S. me detyrë Drejtor i Planifikimit, Zhvillimit dhe Kontrollit të Territorit,
në kundërshtim me ligjin nr. 154/2014, datë 27.11.2014 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, ligjin nr. 8402, datë 10.09.1998 “Për Kontrollin dhe Disiplinimin e Punimeve të Ndërtimit”, UKM nr. 2 datë 13.05.2005 “Për zbatimin e punimeve të ndërtimit” dhe UKM nr. 1, datë 16.06.2011 “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit” dhe R.S. e E.T.
Në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve, në kundërshtim ligjin nr. 8402, datë 10.09.1998 “Për Kontrollin dhe Disiplinimin e Punimeve të Ndërtimit” dhe UKM nr. 1, datë 16.06.2011 “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit”, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i RSH”, me shkresat nr. 1233/19 datë 30.04.2017, 1233/20 datë 30.04.2017, 1233/21 datë 30.04.2017, KLSH ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Vlorë, për konsumimin e elementëve të figurës së veprave penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” dhe “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga nenet 258 dhe 248, të Kodit Penal. V.O.
Në web-in e KLSH gjendet i plotë Vendimi nr. 37, datë 29.04.2017 i Kryetarit të KLSH-së, në lidhje me këtë auditim.
(XH.A/SHUPLAKA)