Grupi hetimor që po merret vetëvrasjen e efektives 23-vjeçare, ka dyshime të forta se ajo mund të jetë shtyrë drejt këtij akti, pasi pak kohë më parë i kishte dhënë fund lidhjes me një kolegun e saj oficer policie në Tiranë, shkruan “Panorama”.
Ata dyshojnë se ndarja nga i dashuri e ka ngarkuar psikologjikisht të renë deri në atë pikë sa ajo t’i japë fund jetës. Por nuk përjashtohen as pista të tjera sa i përket shkakut që e çoi efektiven 23- vjeçare t’i japë fund jetës, vetëm 3 vjet pasi u fut në radhët e Policisë së Shtetit.
Nga hetimet e deritanishme Paranxhela Shahini rezulton të mos ketë pasur asnjë shqetësim tjetër serioz në jetën e përditshme dhe as për shkak të detyrës.
Pasi kanë rindërtuar skenën e krimit, agjentët e hetimit e konsiderojnë vetëvrasje “eksperte” ngjarjen e dy ditëve më parë.
Policja 23- vjeçare u vetëvra me armën e shërbimit paraditen e kësaj të mërkure, duke lënë pas dhimbje të thellë te familjarët dhe misterin e një akti që la të shokuar jo vetëm të afërmit, por edhe kolegët dhe të gjithë ata që e njihnin.
Familja e efektives ka vendosur ta varrosë vajzën e re me fustan nusërie, veshje që vajza nuk pati mundësi ta vishte kur ishte gjallë.
Ajo nuk ka lënë për familjarët asnjë letër të shkruar, ku të shpjegonte arsyet e aktit ekstrem.
(M.D/Shuplaka)