Deputetja e Partisë Demokratike Mimoza Hajdarmataj ka reaguar pas debatit midis kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakes demokrate të Shkodrës Voltana Ademi.
Hajdarmataj e kritikon ashpër Ramën me fjalët: “Zbret me helikopter në Shkodër për të sulmuar një grua”.
Gjatë vizitës së tij sot në Shkodër, ku u përplasën policët e rendit me ata bashkiakë, kryeministri Rama tha se Ademi e konsideron provokim sa herë ai shkon në këtë qytet.
“Isha në Tiranë dhe më thanë që Voltana më kishte marrë prapë nëpër gojë, pyeta pse. Kishte thënë se Edi Rama mos e provoko Shkodrën, i duket porovokim kur vij unë, kur vij unë ajo zgjohet nga gjumi. Dhe pastaj mora vesh që kishte ngritur një çadër për të penguar këtë takim edhe thoshte është çadra për ditën ndërkombëtare të familjes.
Tani pyetja ime është ku është çadra? U spostuam dhe nuk erdhëm të provokonim, kështu tallet Voltana me Shkodrën, edhe me ata që e kanë votuar, ju siguroj, ua them pa asnjë lloj ekzagjerimi, Voltanën nuk e merrja as për magaziniere, kur isha në krye të bashki. Këtu puna është se PD prej 27 vitesh qeveris Shkodrën. Ka marrë besimin e shumicës së shkodranëve, lufton me fantazmën e komunizmit, përfiton nga një ndasi jo për të ndihmuar Shkodrën por për të mbajtur pushtetin.”, tha Rama.
REAGIMI I PLOTË
“Vajmedet o Edi Rama.
Zbret me helikopter në Shkodër për të sulmuar një grua…
Më erdhi neveri sot teksa ndoqa pak live, kryeministrin ( si “trim” që është nuk hyri nga toka por nga ajri në Shkodër), teksa bënte “cubin” duke sulmuar një grua, një nënë, një qytetare shkodrane , një model të zyrtares që nuk ul kokën nga shantazhet e tij….
Dështimet e qeverisjes tënde, refuzimet e investimeve dhe fondeve publike në infrastrukturë e shërbime, përmes mllefit që ti ke ndaj Veriut, tashmë janë të njohura publikisht, prandaj nuk ka me pasë “Voltanë” që ka me të shpëtu nga zemërimi i shkodranëve e gjithë shqiptarëve.
Nuk ka shpëtim për Republikën e vjetër.” (D.D/Shuplaka)