Katër adoleshentë, të moshave 15-17 vjeç, banues në Tiranë, janë vënë në prangat e policisë nën akuzën e krerjes së pesë grabitjeve përgjatë tri muajve.
Të pajisur me kapuça, doreza, pistoleta që nuk plotësonin kushtet e armës së zjarrit, ata grabisnin nën kërcënimin e armës, për t’u arratisur më pas me biçikletat e tyre.
Adoleshentët që tashmë janë vënë në pranga, kanë grabitur nga Dhjetori deri në muajin Shkurt disa supermarkete, farmaci dhe dyqan shërbimi për internet.
Detaje të policisë:
Tiranë Finalizohet operacioni “Çiklistët”. Në pranga 4 shtetas. Dokumentohen 5 vjedhje.
Më datë 31.05.2017, Specialistët e Komisaraitit të Policisë Nr 4, kanë finalizuar operacionin “Çiklistët”, në kuadër të të cilit janë arrestuar shtetasit:
- Enton F., 16 vjeç, banues në Tiranë
- Aldo D., 17 vjeç, banues në Tiranë
- Reald N., 15 vjeç, banues në Tiranë
- Kristi D., 16 vjeç, banues në Tiranë
Për shtetasit e sipërpërmendur, është arritur të dokumentohet me prova ligjore se janë autorë të dyshuar të kryerjes së vjedhjeve si më poshtë:
– Më datë 16.12.2016, në kryqëzimin e Rrugës “Bardhyl”, me Rrugën “Kongresi i Manastirit”, në një dyqan shërbimi për internet, i kanë marrë një shumë monetare dhe një aparat celular, shtetasit E. R.
– Më datë 10.01.2017, në rrugën “Siri Kodra”, në një farmaci, i kanë marrë një shumë monetare, shtetases E. L.
– Më datë 10.02.2017, në Rrugën “5 Maj”, në një supermarket, në pronësi të shtetasit I. S., kanë marrë një shumë monetare.
– Më datë 18.02.2017, në Rrugën “Njazi Meka”, në një supermarket, i kanë marrë një shumë monetare, shtetases K. Gj.
– Më datë 24.02.2017, në Rrugën “Kongresi i Manastirit”, në një dyqan shërbimi për internet, i kanë marrë një shumë monetare dhe një aparat celular, shtetases M. K.
Shtetasit e arrestuar, i kryenin vjedhjet në bashkëpunim me njëri – tjetrin, ku pasi pikasnin ambientin që do të vidhnin, e studionin atë dhe më pas bënin vjedhjen.
Si mjet për lëvizje këta shtetas përdornin biçikleta, si dhe për tu mos u identifikuar përdornin kapuca për biçikleta dhe doreza. Për mjet shtrëngimi ose presioni përdoreshin dy pistoleta, të cilat nuk i plotësojnë kushtet e armës së zjarrit .
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa nga veshjet e përdorura nga këta shtetas gjatë vjedhjeve të tyre si:
Dy palë doreza plastike, një kapuç me ngjyrë të zezë, një kapuç me ngjyrë gri, dy biçikleta me mbishkrimet “Merida” dhe “Caryfisher” dhe dy pistoleta, një me mbishkrimin “Beretta” dhe një me mbishkrimin “Ekol”.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Vjedhja me armë” të kryera në bashkëpunim, parashikuar nga Nenet 139-25 dhe 140-25 të Kodit Penal.
(XH.A/SHUPLAKA)