Nga Afrim Krasniqi
Zgjedhjet po mbyllen, tani mbeten kalkulimet elektorale dhe verifikimet e fundit. Në këtë fazë partitë bëjnë tri gjëra: e para verifikojnë besnikërinë e komisionerëve të tyre dhe përzgjedhin numëruesit; e dyta verifikojnë qytetarët e mundshëm për pjesëmarrje në votime në mënyrë që ata me potencial vote pro, të shkojnë patjetër në votime, dhe ata me potencial vote kundër të mos shkojnë në votim; e treta kalkulojnë zonat bastione dhe numrin e votave të mundshme në secilën qendër votimi dhe njësi administrative. Mitingu përmbyllës apo prezantimet në media nuk kanë më ndikim tek elektorati.
Pikërisht, në funksion të pikës së tretë, Instituti i Studimeve Politike (www.isp.com.al) përmes mbështetjes së fondacionit gjerman, KAS me database elektorale www.vota.al ofron falas për çdo kandidat, parti, subjekt apo media, qytetar votues apo abstenues, të dhëna të detajuara për çdo qendër votimi në disa prej proceseve të fundit zgjedhore në Shqipëri.
Bazuar në këto të dhëna dhe në vendimet e Kolegjit Zgjedhor 2013, me të njëjtin numër votuesish dhe me formulë të njëjtë kalkulimi, rezulton se pragu minimal 3% që partitë duhet të kalojnë në çdo qark luhatet nga 1404 vota në Kukës në 13542 vota në Tiranë. Kalimi i pragut nuk do të thotë marrje e mandatit. Vetëm në Tiranë kalimi i pragut sjell automatikisht edhe fitoren e një mandati parlamentar. Në qarqet e tjera duhen deri në 6 herë më shumë vota.
Referuar të njëjtës pjesëmarrje dhe formulës së kalkulimit të mandateve, për një mandat parlamentar ka ndryshim votash në varësi nga qarku. Për shembull, më 2013 një mandat merrej më lehtë në Kukës e Lezhë sesa në qarqet e tjera. Me ikjen e mandatit të katërt në Kukës, pragu për një mandat rritet ndjeshëm, dhe shkon në nivelet e Tiranës. Numri i votave për një mandat mbetet e lart në Tiranë (nga 11 deri në 13 mijë vota), ndjekur nga Dibra e Durrësi dhe më pas Fieri dhe Berati.
Formula përcaktohet nga numri i partive që kanë pretendim real për mandate, skemat taktike informale dhe nga pjesëmarrja në zgjedhje. Shembulli i Kukësit 2013, ku për mandatin e fundit diferenca midis dy koalicioneve të mëdha ishte vetëm 9 vota (9259 me 9250) tregon se në disa raste, vetëm një grusht votash vendosin fatin e një deputeti dhe një subjekti elektoral.
Nga ana tjetër, nëse numri i qytetarëve që do të shkojnë në votime rritet 1-3% në krahasim me 2013, atëherë pragu elektoral dhe mundësia për të fituar një mandat rritet deri me 500-900 vota. Nëse pjesëmarrja e zgjedhësve në votime ulet, atëherë çdo ulje ndikon edhe në uljen e numrit të votave të nevojshme për të fituar një mandat. Kjo vlen sidomos në qarqet e mëdha ku ka më shumë mandate në dispozicion. Korça e Durrësi, Kukësi dhe Tirana kanë numër të ndryshëm mandatesh nga 2013, – ato që humbën mandatet pësojnë rritje të numrit të votave për një mandat, ato që përfituan rritje mandatesh përfitojnë ulje të numrit të votave për një mandat.
Kufiri minimal për mandatet (pragu 3% ka vlerë vetëm në Tiranë), është sfida kryesore e partive të vogla politike, sidomos PDIU, LIBRA, SFIDA, PSD, APD, FRD, PKD, etj. Ky rregull vlen edhe për LSI në të paktën 4 nga 12 qarqet e vendit. Problemi tjetër lidhet me deformimet e sistemit: partitë që marrin shumë vota, megjithatë nuk kalojnë pragun elektoral ose nuk arrijnë numrin e votave për një mandat penalizohen dy herë, – nuk fitojnë mandat për shkak të sistemit të votimit dhe nga ana tjetër, votat e tyre de facto përkthehen në mandate parlamentare për partitë e mëdha politike, sidomos Partinë Socialiste (80%) dhe Partinë Demokratike (60%).