KQZ nisi këtë të hënë, procesin përfundimtar për zgjedhjet e 25 qershorit, duke shqyrtuar dhe miratuar edhe njëherë rezultatin e votimit për 5 zona zgjedhore, duke vulosur zyrtarisht edhe fitoren e PS në zgjedhjet e përgjithshme.
5 ishin qarqet e para për të cilat rezultati është tashmë zyrtar, Fieri, Kukësi, Elbasani, Lezha dhe Dibra, për të vijuar gjatë javës me 7 qarqet e tjera.
Ajo cka pritet me interes në orët në vijim, edhe marrja në shqyrtim e kërkesës së PDIU-së, për korrigjimin e të dhënave të hedhura gabim në procesverbale, nga grupet e numërimit në KZAZ.
Bëhet fjalë për 4 qendra votimi në qarkun e Tiranës, ku sipas PDIU, 31 vota kanë shkuar gabimisht nga kjo forcë politike, për PDS, ngjitur me të në fletën e votimit.
Këto vota, sipas PDIU, nuk janë pasqyruar drejt nga grupet e numërimit dhe si këto raste janë edhe shumë të tjera të evidentuara, ndonëse zyrtarisht ankesa është bërë vetëm për këto 4 qendra numërimi.
Nëse gabimi vërtetohet dhe korrigjohet, këto vota mund të ndryshojnë konfigurimin e deputetëve të Tiranës, ku në krye të listës së PDIU-së, qëndron kryetari i saj Shpëtim Idrizi. KQZ ende nuk ka thirrur mbledhjen ku do të shprehet për këtë rast.
(E.K/SHUPLAKA)