Në kundërshtim me investimin e fuqishëm të Beogradit dhe të Listës Serbe për të bllokuar formimin e ushtrisë së Kosovës, pjesëtarët serbë të FSK-së kanë një qëndrim krejt të kundërt, ata nuk i pengon formimi i ushtrisë së Kosovës.
Për pjesëtarët e rinj serbë kjo nuk është fare pngesë madje thonë se e shikojnë të ardhmen në Kosovë.
Pjesëtari më i ri i FSK-së, nga komuniteti serb Velko Çurçiç, thotë se e sheh të ardhmen në Kosovë, pasi dëshiron të punojë dhe të jetojë këtu, sepse nuk ka pengesa nga askush.
“Jo, me sa di unë jo. Ata të paraqiten në konkurse dhe të kërkojnë punë. Jo, nuk do të thosha se më pengon”, ka thënë ai, raporton KP.
Një i ri tjetër serb, Stefan Gjukiq nga Zubin Potoku e quan përvojë të mirë t’i shërbejë ushtrisë së Kosovës dhe ndihet mirë për këtë.
“Kemi kërkuar punë. Më pëlqen jeta ushtarake, babai im është polic, e dua këtë punë. Kjo është një përvojë e re, unë jam këtu për herë të parë. Është një përvojë e re”, ka thënë Gjukiq.
Në ceremoninë e certifikimit të 61 rekrutëve të rinj nga komunitetet jo shumicë në FSK mori pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi, i cili u uroj një fillim të mbarë dhe të suksesshëm në përmbushjen e detyrave të shenjta dhe fisnike për mbrojtën e vendit.
Formimi i ushtrisë së Kosovës vijon të mbetet peng për shkak të Listës Serbe dhe Beogradit, që kundërshton ashpër çdo nismë për formimin e saj. (B.H/Shuplaka)