Deputeti Astrit Patozi, i cili u tërheq nga gara për kreun e Partisë Demokratike, ka ironizuar Lulzim Bashën për mënyrën se si po bën fushatë me bazën e partisë.
Sipas Patozit, Basha i ka bërë demokratët gazin e botës. Ai përmend edhe nismën e fundit të kryeministrit Edi Rama, i cili ka nisur një tur takimesh me qytetarët, për t’u marrë atyre mendimin se si duan të qeveriset vendi gjatë 4 viteve të ardhshme.
“KËTË MUND TA KISHE KURSYER LULZIM BASHA
Na ke bërë, realisht, gazin e botës. Sikur të mos mjaftonin talljet e fushatës me barcoleta tepsije dhe me çunin e mirë, që donte të pinte dy nëna dhe loja me ngjyrat dhe simbolet tona.
Tani në lajme po shohim përditë drejtues dhe deputetë të Partisë Socialiste, që u marrin mendimin njerëzve, pasi u kanë marrë votat, dhe kryetarin tonë, që u kërkon votën atyre, pasi u ka marrë mendimin.
A thua se ne kemi fituar dhe Edi Rama ka humbur në këto zgjedhje. Këtë, të paktën, mund t’ia kishe kursyer demokratëve Lulzim Basha!”, shkruan Patozi. (D.D/Shuplaka)