Nusja e tij 19 vjeçare tentoi t’i helmonte nënën duke i hedhur ilaçin e mizave në gotën e kosit. Por nuk mjaftoi vetëm me kaq. 19 vjeçarja akuzoi vjehrrin se e kishte përdhunuar.
Por pas ardhjes nga Greqia ka folur për “Panorama” bashkëshorti i 19-vjeçares Elda Tanushit. Donald konfirmon se nuk do t’i rikthehet më kësaj martese dhe se nuk do t’ia falë kurrë nuses tentativën për t’i vrarë nënën.
Ai tregon se martesa e tyre ka qenë pas dy ose tre takimesh. Ndonëse asnjëri s’e kishte pëlqyer njëri-tjetrin, nën ndikimin e prindërve, ata kishin vendosur të ndërmerrnin këtë hap. Sipas tij, nusja është detyruar nga babai i saj ta pranonte atë si burrë, pasi ajo donte dikë tjetër.
20 vjeçari tregon se pas martese gruaja nuk i afrohej, aq sa edhe raportet e tyre seksuale kanë qenë mjaft të ftohta e të rralla. I riu shkon më tej me akuzat ndaj së shoqes, e cila’ sipas tij’ nuk ka qenë e virgjër dhe se për t’i hedhur atij hi syve, ajo kishte hedhur jod në çarçafë natën e parë.
Që prej atij momenti, Donaldi shprehet se kishte dashur të ndahej nga nusja. Ai ndihet i prerë në besë edhe nga babai i Eldës, i cili’ sipas tij’ i kishte dhënë garanci për virgjërinë e së bijës.
“Kur e kuptova, unë i thashë Eldës, por ajo këmbëngulte në të sajën. Më thoshte se ishte e virgjër, por se isha unë ai që nuk merrja vesh… Unë u thashë prindërve se ajo nuk ishte e virgjër dhe se nuk ishte grua për mua. Prindërit diskutuan me xhaxhain e të afërm të tjerë dhe thirrëm njerëzit e nuses për ballafaqim. Ma hodhën fajin mua, edhe prindërit e mi, edhe familja e saj. Thanë që unë s’merrja vesh nga këto gjëra dhe se miqësia duhet të vazhdonte. I vura një gur zemrës dhe dëgjova fjalën e prindërve, edhe pse në vetvete isha i sigurt se ajo femër nuk ishte për mua”, rrëfen 20- vjeçari.
INTERVISTA
Donald, kur jeni kthyer nga Greqia?
Unë u ktheva dy ditë më parë, pasi mora vesh lajmin se bashkëshortja kishte tentuar të helmonte nënën time. Prej dy muajsh, unë isha në Greqi ku punoja si bari në një fshat. Familja nuk më kishte vënë në dijeni për çfarë kishte ndodhur këtu në Shqipëri, pasi nuk donin të më shqetësonin apo të më fusnin në konflikt me kunatin që ishte bashkë me mua.
Si e morët vesh lajmin që bashkëshortja kishte helmuar nënën tuaj?
Këtë lajm të hidhur e mora vesh nëpërmjet internetit. E lexova në internet tek uebi i “Panorama online”. Më doli në faqen e “Facebook”-ut si lajm. Nuk po u besoja syve. E rilexova sërish. Pastaj pashë me detaje atë që kishte ndodhur.
Si reaguat në ato momente?
Sigurisht që u shqetësova shumë, pasi është një ngjarje shumë e rëndë. Të të helmojë nusja nënën, kjo është fundi i botës. Nëpërmjet telefonit tentova të lidhesha me familjarët e mi këtu në Shqipëri. Telefonova te numri i babit (Eduart Stafa), por dilte i fikur, pasi e kishte dorëzuar në polici si provë materiale. Më pas u lidha në telefon, por familjarët nuk ma treguan ashtu sikurse kishte ndodhur ngjarja. Më thanë thjesht që Elda kishte ikur te prindërit e saj, sepse nuk donte të qëndronte më në shtëpinë tonë.
E besuat këtë variant që ju servirën familjarët?
Absolutisht që jo. Unë isha i sigurt se diçka e rëndë kishte ndodhur, pasi e lexova lajmin dhe u informova për atë që kishte ndodhur. Gjithsesi nuk më mbante vendi dhe u nisa për në Shqipëri. Kur erdha këtu, edhe familjarët më treguan se çfarë kishte ndodhur konkretisht.
Ju thatë se në Greqi ndodheshit në të njëjtin vend me kunatin tuaj (vëllain e nuses). Folët me të për këtë çështje?
Po, fola, më tha që s’ka mundësi. Edhe unë nuk e zgjata shumë, pasi kisha frikë se mos më bënte ndonjë gjë, mund edhe të më vrisnin. Ashtu janë ata, si familje… Mashtrues, intrigaxhinj dhe të këqij. I thashë që “po kthehem në Shqipëri të marr vesh se çfarë ka ndodhur”. “Bëj çfarë të duash”, më tha – “smë intereson fare je gjallë apo ke vdekur”.
Donald, mund të na tregoni rreth marrëdhënies suaj në çift?
Siç jeni informuar edhe ju, ne jemi njohur me shkuesi. Para tetë muajsh ne u fejuam, ndërsa rreth tre muaj më parë u martuam. Fillimisht na prezantoi një e afërmja jonë që e kemi komshie këtu në fshat dhe që është me orgjinë nga fshati i ish nuses sime.
Kur u takuat për herë të parë Eldën dhe si nisi lidhja juaj?
Pasi na thanë që është vajzë shumë e mirë, ne u takuam te shtëpia e kësaj të afërmes sonë. Qëndruam për disa minuta bashkë. Më pas ngjarjet u zhvilluan shumë shpejt, saqë nuk po kuptoja çfarë po ndodhte.
Ju e pëlqyet Eldën në takimin e parë? Po ju asaj?
Jo. As mua nuk më pëlqeu ajo dhe as unë nuk i pëlqeva asaj.
Po kur nuk u pëlqyet, pse u martuat?
Atë e detyruan të fejohet me zor me mua. Ajo pranoi nga presioni i të atit. Ai e detyroi të fejohet pa dëshirën e saj. Ndërsa unë isha më i tërhequr, sepse ma kishin pasqyruar si vajzë të mirë, të urtë, të sjellshme dhe familjare. Duke menduar se kishte këto cilësi, besova se do të më hynte në zemër me kalimin e kohës.
Çfarë diskutuat në takimin e parë, për çfarë temash folët?
Për tema të përgjithshme, për tema intime. E pyeta nëse kishte pasur të dashur më parë. Edhe ajo të njëjtën gjë më pyeti mua.
Çfarë ju tha kur e pyetët nëse kishte të dashur?
E mohoi kategorikisht. “Nuk kam të dashur, s’kam pasur asnjë djalë në jetën time”, më tha. Unë e besova. Ajo ishte 18 vjeçe dhe mendova se ishte e sinqertë. Edhe unë i thashë që nuk kam pasur asnjë lidhje më parë. Më doli garant edhe babai i saj. Ai tha se po nuk ishte e virgjër Elda, do të mbante përgjegjësi ai. “Do ta vras me duart e mia tha, po nuk doli e virgjër”, ndërkohë nxitonte të mbyllte marrëveshjen e fejesës. Ditën e parë u pamë për herë të parë. Ditën e dytë në mëngjes kërkoi t’i blinim unazën vajzës. Ne nuk kishim lekë për të blerë unazën, sepse nuk ishim bërë gati. Mblodhëm ca lekë nëpër të afërmit tanë dhe ia blemë unazën.
Çfarë ndodhi më pas?
Ata e morën vajzën në shtëpinë e tyre. Nuk e lanë asnjë ditë këtu, se thanë që ishin familje fanatikësh. Pas ca ditësh erdhi edhe një herë këtu me babain e saj. Vetëm dy-tri herë jemi takuar gjatë fejesës. Nuk kemi qëndruar për asnjë moment vetëm… kishim babain e saj pranë apo prindërit e mi në çdo moment.
Dy-tri herë jeni takuar gjatë fejesës dhe vendosët për dasmë?
Po. Pasi kaluan nja katër-pesë muaj, ne u martuam. Nuk e kishim me qejf as unë dhe as ajo, por familjet, sidomos familja e saj, këmbënguli se duhej të martoheshim. Ata donin ta hiqnin qafe nga shtëpia.
Pra, ju, edhe pse ishit njohur pesë muaj më parë, nuk kishit arritur të krijonit afrimitet me njëri-tjetrin?
Jo, nuk kishim krijuar afrimitet fare. Ajo nuk afrohej fare, ndërsa unë nuk kisha eksperiencë dhe qëndroja indiferent.
Flisnit në telefon apo dërgonit SMS kur ishit të fejuar?
Jo. Shumë rrallë, për të mos thënë vetëm dy-tri herë. Ishim shumë të ftohtë me njëri-tjetrin. Ajo nuk më donte. Thjesht pranoi të fejohej me mua sepse babai i saj i bënte presion, e detyroi ai të thoshte që “pranoj”.
Po pas martese çfarë ndryshoi në marrëdhënien tuaj?
E njëjta situatë vazhdoi edhe pasi u martuam. Ajo kishte një lidhje tjetër, por unë tani e mora vesh. Ndaj ajo nuk e kishte mendjen te mua, por te dashnori që kishte. Ajo nuk donte të qëndronte te shtëpia ime, me thoshte se donte të shkonte te prindërit, sepse donte të takonte dashnorin. Edhe mua më doli nga zemra.
Po juve pse ju doli nga zemra?
Mua më doli nga zemra sepse ajo nuk ishte ashtu siç e kishin paraqitur familja e saj dhe shkesi që na prezantoi. Ishte një njëri krejt ndryshe. Ajo vetë më kishte garantuar se, ashtu sikurse edhe unë, nuk kishte pasur lidhje më parë. Babai i saj kishte dalë garant se ajo ishte e virgjër. Në fakt, na doli krejt ndryshe, ajo kishte pasur lidhje të mëparshme me një person atje te zona ku jetonte. Unë doja të ndahesha që ditët e para të martesës, por prindërit e mi dhe të afërmit më shtrënguan që të vazhdoja lidhjen. Unë e kuptova se ajo ishte një femër shumë e keqe dhe e aftë të bënte gjithçka. Mua donin të ma ngecnin atë femër, por fatmirësisht Zoti deshi që ngjarjet të zhvilloheshin kështu dhe unë të ndahesha prej saj.
Pse flisni kështu për bashkëshorten tuaj, ku i bazoni këto akuza?
Ajo ishte shumë e aftë të gënjente dhe manipulonte. Për këtë ka pasur edhe ndihmën e familjes së saj. Ajo nuk solli pajë me vete, por një shishe me jod për të mbuluar që nuk ishte e virgjër.
Përse i duhej shishja me jod?
Për të mbuluar që nuk ishte e virgjër, ajo kishte marrë jod me vete dhe e kishte derdhur te çarçafi ditën që u martuam. Donte të më zinte sytë mua. Por fatmirësisht unë e kuptova këtë manipulim të sajin.
Ju thatë se nuk kishit pasur eksperienca më parë, nga e kuptuat që ajo nuk ishte e virgjër?
Ajo nuk pati hemorragji. Bënte kot sikur kishte dhimbje. Pastaj gjeta në mëngjes edhe shishen e jodit…
Ia treguat atë çfarë patë nuses? Si e justifikoi ajo?
Ia thashë, por ajo këmbëngulte në të sajën. Më thoshte se ishte e virgjër, por se isha unë ai që nuk merrja vesh nga këto… Më pas unë u thashë prindërve se ajo nuk ishte e virgjër dhe se nuk ishte grua për mua. Prindërit diskutuan me xhaxhain dhe të afërm të tjerë dhe thirrëm njerëzit e nuses për ballafaqim.
Çfarë ndodhi më pas?
Ma hodhën fajin mua edhe prindërit e mi, edhe familja e saj. Thanë që unë s’merrja vesh nga këto gjëra dhe se miqësia duhet të vazhdonte. I vura një gur zemrës dhe dëgjova fjalën e prindërve, edhe pse në vetvete isha i sigurt se ajo femër nuk ishte për mua.
Po pas këtij ballafaqimi, si vazhdoi raporti juaj intim me nusen?
Kishim, por shumë rrallë. Thuajse kishim të njëjtin raport sikurse në fejesë. Edhe pse ajo qëndronte këtu te shtëpia ime, ajo nuk afrohej, qëndronte shumë larg meje. Përpiqej të shmangte çdo kontakt me mua, sidomos kur qëndronim vetëm.
Po ju nuk flinit në të njëjtën dhomë?
Në të njëjtën dhomë flinim, por nuk kryenim marrëdhënie seksuale, sepse ajo nuk donte… Nxirrte justifikime nga më të ndryshmet. Unë e kuptoja se ajo nuk më donte, por çfarë t’u bëja prindërve dhe familjarëve të tjerë, të cilët këmbëngulnin se gjërat do të sheshoheshin.