Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria do të tërhiqet nga projekti me mbetjet përkohësisht. “Do të tërhiqemi nga projekti në këtë fazë”, theksoi Rama.
Kryeministri gjatë fjalës së tij me socialistët sqaroi se qeveria do të tërhiqet momentalisht nga projekti dhe nënvizoi se ky qëndrim nuk erdhi se ata që e kundërshtojnë kanë të drejtë por sepse qytetarët kanë të drejtën të informohen.
“Sa i përket çështjes së dekreteve ne do mbajmë një qëndrim siç e kemi shprehur në respekt të procedurës së Kuvendit dhe do të tërhiqemi nga projekti si i tillë në këtë fazë pasi besojmë se jo që ata që e kundërshtojnë kanë të drejtë, jo që presidenti i mëparshëm ka të drejtë por që është e drejta e të gjithë qytetarëve të jenë të mirëinformuar për këtë projekt, flas për projektin e riciklimit të mbetjeve që s’ka të bëjë me gjithë spekulimet e opinionit publik për axhenda tërësisht politike apo me axhenda pa lidhje me axhendën e modernizimit të vendit”, tha kryeministri Rama.
Mund të pyesim: Rama thjesht po e mban pezull këtë projekt dhe kur të vijë koha e nxjerr parlament për votim? Apo është një tërheqje që Rama të përfitojë në kohë për ta analizuar edhe njëherë importin e mbetjeve?
Kujtojmë që ditët e fundit LSI kërkoi që të ketë një referndum për këtë ligj. “Populli është shumë i shqetësuar që Shqipëria do të shëndrrohet në gropën e plehrave të të gjithë Europës, pasi me këtë ligj të gjithë llojet e sojet e plehrave do të derdhen në Shqipëri. Zgjidhja është vetëm një REFERENDUM POPULLOR për t’i thënë po ose jo vërshimit të plehrave në Shqipëri.”, u shpreh Vasili. Ndërsa PD e dënoi ashpër këtë ligj dhe theksoi se duhet të rikthehet edhe njëherë në parlament.
(J.V/Shuplaka)