Ardhja në Shqipëri duket se po zgjat për portierin e Kombëtares Italiane të futbollit, Bufon. Dje në mbrëmje duket se ai nuk është kthyer me skuadrën drejt Italisë, ndërsa është fotografuar dhe me moderatoren Arbana Osmani.
Ç’të jenë duke kurdisur ata të dy?! Me siguri ndonjë surprizë për edicionin e dytë të emisionit ‘’Dua të të bëj të lumtur”.
Bufon është një nga futbollistët më të dashur në vendin tonë, dhe takimi me të për ndonjë nga tifozët do të ishte surpriza e jetës. Ndërkohë që italiani tha kur mbërriti në Shqipëri se e njeh historinë e vendit tonë.
“E njoh paksa historinë shqiptare, e kam studiuar dhe është shumë e bukur. Bëhet fjalë për një popull që ka identitet dhe krenari. Mbi të gjitha më bënte përshtypje kur lexoja në libra se: “Feja e shqiptarit është Shqiptaria”. Kjo të bën të kuptosh bashkimin e madh që ekziston, përtej diferencave, mes të cilave edhe fetare. Gjëja më e rëndësishme është që të gjithë ndihen shqiptarë dhe kjo është një vlerë e jashtëzakonshme”, deklaroi Gianluigi Buffon.
Por kjo nuk është hera e parë që juventini vjen në Shqipëri, mbi dy dekada më parë, kur ishte pjesë e Parmas, ai ka luajtur kundër Teutës, periudhë të cilën Buffoni e kujton dhe për ndryshimet që sheh ka vetëm komente pozitive.
“Kam qenë në Shqipëri thuajse 23 vjet më parë, pasi kam luajtur me Parmën ndaj Teutës. Kjo është hera e dytë që vij në vendin tuaj. Kanë kaluar shumë vjet, por më duket sikur Shqipëria po evoluon, është bërë një vend i bukur dhe me njerëz optimistë. Kjo më lumturon, sepse në fund fatet e Shqipërisë dhe Italisë janë ndërthurur gjatë historisë”, tha ndër të tjera Buffon.
(E.K/SHUPLAKA)