Ushtria turke ka hyrë tashmë në territorin e Sirisë veriore duke sulmuar pozicionet e kurdëve të PYD, të cilat Ankaraja zyrtare i cilëson terroriste, ndërsa Washingtoni i mbështet në luftën e tyre ndaj ISIS dhe qeverisë së Asadit.
Në një video të postuar në rrjetet sociale, komandot turke që po bëhen gati t’i bashkohen grupit që ka hyrë tashmë në Siri betohen për hakmarrje ndaj krimeve që sipas tyre forcat kurde të PDY kanë bërë ndaj turqve, pëcjell Albeu.com.
“Jemi kudo, në Cizre dh Afrin. Tremben prej nesh”., dëgjohet të thonë ata ndër të tjera.
Operacioni “Dega e Ullirit” nisi ditën e shtunë nga Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) në rajonin Afrin në veriperëndim të Sirisë.
Në një deklaratë të publikuar në uebfaqen e Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë vihet në dukje se operacioni po realizohet duke respektuar të drejtat në kuadër të vendimeve të veçanta të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në çështjen e luftës kundër terrorizmit dhe në kuadër të të drejtës legjitime të vetëmbrojtjes sipas marrëveshjeve të Kombeve të Bashkuara, si dhe në respektim të sovranitetit territorial të Sirisë.
Gjithashtu në deklaratë është theksuar se në objektiv do të jenë vetëm pikat që u përkasin terroristëve dhe se do të tregohet çdo kujdes dhe ndjeshmëri që civilët dhe personat e pafajshëm të mos dëmtohen. Ky operacion i TSK-së mbështetet edhe nga forcat e Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS).
(B.H/Faxweb)