Nga Adriatik Lapaj
U desh një deklaratë e Ministrit të jashtëm grek që pohon se Shqipëria u ka njohur atyre të drejtën e 12 miljeve detare si det territorial që ne të zgjoheshim nga anormaliteti i heshtjes të cuditëshme që na kishte kapur gjatë negociatave që Qeveria jonë po kryente me palën greke në një fshehtësi të plotë dhe kur them fshehtësi e kam fjalën jo vetëm larg syve të qytetarëve por edhe larg syve të aktorëve politik, institucional apo organeve kushtetuese në vend.
Ndryshe nga ne pala greke për këtë cështje ka pasur një akordim shumë të admirueshëm mes veti, kujtojmë Kryeministrin Grek Alexis Cipras me t’u kthyer nga Samiti i Davos ku bisedoi me Kryeministrin Rama, thirri në takim një për një të gjithë krerët e partive parlamentare greke ku u bënte me dije situatën, gjithashtu ai shkoi te Presidenti i vendit fqinj ku me shumë mundësi i ka raportuar me detaje cfarë diskutoi me Ramën dhe në fund e përmbylli me një komunikim direkt në mediat kombëtare drejtëpërdrejtë me popullin situatën e re negociuese.
Përtej kësaj ai nxori në media Ministrin e Jashtëm Kotzias i cili qartësoi se pala shqiptare ka miratuar ndërtimin e dy varrezave për ushtarët grekë, nga ana tjetër konfirmoi se Cështjen Came nuk e njohin e as e pranojnë fare në diskutime si dhe kanë arritur mirëkuptimin dhe dakordësinë për njohjen e sovranitetit të tyre mbi 12 milje detare ndërsa prej palës greke është dakordësuar që popullsia Came mund të kaloj kufirin për vizita në Greqi si dhe do na mbështesin për statusin e vendit kandidat për në BE.
Pra Kryeministri i atyre paskërka cfarë të flasë me krerët e politikës në vend, me Presidentin e Republikës dhe me qytetarëet e vetë ndërsa Kryeministri jonë nuk e gjykon se është e nevojshme…dhe mos harroni ky model Kryeministri që del fletë edhe për gjëra mikroskopike.
Sa kohë nga pala jonë pati mungesë transparence totale ne nuk kemi rrugë tjetër vecse të marrim të mirëqëna c’ka thuhet nga shtetarët grek që deri sot të themi të drejtën nuk është se nuk u ka dalur fjala.
Qeveria Rama mund të hedhë hapa të nxituara por ne kemi Kushtetutë dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese nr. 15, datë 15.04.2010 në lidhje me kufijt detar. Në asnjë rast delegacioni jonë nuk mund të dalë përtej kufijëve dhe piketave që përcakton ky vendim. Ndaj po e risjellim në vëmendje.
- Së pari, cdo delegacion shtetëror që negocion për caktim kufijsh duhet të jetë I paisur me plotfuqi nga kreu i shtetit, pra nga Presidenti i Republikës.
Kryetari i shtetit përfaqëson shtetin si të tërë, pra unitetin e tij, duke përçuar këtë ide edhe jashtë vendit në raport me të tretët. Ky qendrim mbahet edhe nga Kushtetuta, e cila në nenin 92/ë parashikon kompetencën e Presidentit të Republikës për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, sipas ligjit. Duke iu referuar kësaj dispozite dhe kuptimit të nenit 86/1 të Kushtetutës, rezulton se Presidenti i Republikës ka kompetencë të përfaqësojë shtetin në marrëdhëniet me jashtë.
Duhet bërë dallimi midis marrëveshjeve ku palë është shteti shqiptar dhe marrëveshjeve ku palë është qeveria shqiptare. Në doktrinën kushtetuese, marrëveshje me natyrë politike konsiderohen të gjitha ato marrëveshjeve që sjellin pasoja për ekzistencën e shtetit, integritetin territorial, pavarësinë e tij apo pozitën e vetë shtetit në arenën ndërkombëtare.
Veçanërisht, konsiderohen si marrëveshje politike ato që lidhen direkt me shpalljen, sigurimin apo zgjerimin e pozitës së një shteti ndaj një shteti tjetër. Të tilla janë: marrëveshjet për aleancë, marrëveshjet për bashkëpunim politik, pakte të mossulmimit reciprok, neutralitetit, çarmatosjes, përcaktimit të kufijve dhe të tjera të ngjashme me to.
Është kjo arsyeja që hyrja në fuqi e këtyre marrëveshjeve kondicionohet edhe me dhënien e pëlqimit nga ligjvënësi, pra ratifikimin, pasi të tilla marrëveshje duhet të jenë të mbështetura tek parimi i legjitimimit demokratik të organeve të brendshme të një shteti, në përputhje me parimin e demokracisë. Kjo është dhe arsyeja që Ligji nr.8371, dt.09.07.1998 “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare” bën dallim midis marrëveshjeve ku palë është shteti shqiptar dhe marrëveshjeve ku palë është qeveria shqiptare. Në rastin konkret pjesë e marrëveshjes është dhe duhet të jetë SHTETI dhe jo qeveria.
Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 15, datë 15.04.2010 thekson se e drejta e Presidentit të Republikës për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare është një funksion kushtetues dhe këtë ai e ushtron ose vetë, ose duke i dhënë plotfuqi qeverisë me qëllim përfaqësimin e shtetit sipas të drejtës ndërkombëtare.
Nga sa më lart, Gjykata ka vlerësuar në marrëveshjen e vitit 2009 me Greqinë për ndarjen e detit se mospajisja e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës ka sjellë si pasojë cenimin e kompetencës së kreut të shtetit si organi kompetent për përfaqësimin e shtetit shqiptar në marrëdhënie me jashtë.
Mungesa e plotfuqisë së rregullt nga delegacioni shqiptar bie ndesh me kuadrin e brendshëm kushtetues dhe ligjor lidhur me përcaktimin e kritereve formale për negocimin dhe lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare. Si rrjedhojë, kjo papajtueshmëri prek edhe thelbin e marrëveshjes së lidhur nga shteti shqiptar, i cili, në çdo rast, duhet të shprehë vullnetin e tij në përputhje me kërkesat e legjislacionit të brendshëm. Për këtë arsye, Gjykata arrin në përfundimin se marrëveshja e nënshkruar midis RSH dhe RG për delimitimin e hapësirave detare midis dy vendeve është lidhur në kundërshtim me kërkesat e neneve 4, 7 dhe 92/ë të Kushtetutës.
Në rastin konkret lindin pyetjet:
A ka plotfuqi nga Presidenti i Republikës delegacioni i drejtuar nga Z. Bushati?
A ka dijeni Presidenti i Republikës mbi cfarë po diskutohet dhe mbi vendimet që po merren?
- Së dyti, cdo delegacion shtetëror që negocion me shtete të treta duhet të zbatojë parimin e transparencës.
Në lidhje me këtë pikë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në vendimin nr. 15, datë 15.04.2010 përcakton:
“Negocimi dhe hartimi i marrëveshjes është kryer në fshehtësi dhe në mungesë të transparencës. Qeveria ka detyrimin të bëjë publike të gjitha çështjet, të cilat kanë interes, sidomos ato lidhur me kufijtë e vendit dhe territorit të shtetit. Ky është një detyrim që rrjedh edhe nga neni 23 i Kushtetutës që garanton të drejtën e informimit. Nga ana e qeverisë nuk ka patur vullnet për të dhënë sqarime edhe kur u shfaq interesi i publikut për t’u informuar më shumë mbi këtë marrëveshje.”
Modestisht lind pyetja për qeverinë: Përse nuk e zbatoni nenin 23 të Kushtetutës dhe detyrimin që u ngarkon Vendimi nr. 15, datë 15.04.2010 i Gjykatës Kushtetuese? Nëse marrëveshja ishte antikushtetuese herën e parë ashtu ka për të qenë edhe kësaj here nëse ju nuk respektoni piketat dhe detyrimet që Gjykata Kushtetuese ka caktuar.
III. Së treti, sipas nenit 13/b të Kushtetutës marrëveshjet ndërkombëtare kontrollohen nga Gjykata Kushtetuese përpara ratifikimit të tyre.
Sipas nenit 131/b) të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese kontrollon marrëveshjet ndërkombëtare para ratifikimit nga Kuvendi lidhur me pajtueshmërinë e tyre me Kushtetutën. Në ushtrimin e këtij kontrolli Gjykata mban parasysh të drejtën e brendshme dhe konkretisht dispozitat e Kushtetutës, si akti më i lart normativ në vend. Konkretisht, në nenin 3 të Kushtetutës, përcaktohet se “Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”.
Kur para një gjykate kushtetuese shtrohet për shqyrtim interpretimi i një marrëveshje ndërkombëtare, është i pashmangshëm aplikimi i parimeve të përgjithshme për këtë qëllim. Sipas këtyre parimeve, çdo marrëveshje duhet interpretuar në mënyrë të tillë që palët të arrijnë atë objektiv për të cilin kanë vendosur të lidhin këtë marrëveshje.
E nisur nga këto parime kushtetuese përpara Gjykatës Kushtetuese nesër do duhet të përgjigjesh se cili ka qenë qëllimi jonë si Shqipëri.
IIII. Së katërti, shtetet bëjnë paraprakisht përcaktimin e vijës bazë detare në lidhje me ujërat e brendëshme detare, pastaj caktimin e kufirit.
Gjykata Kushtetuese përcakton se pala jonë në marrëveshjen e parë kishte shkuar pa përcaktuar vijën bazë të ujërave të brendëshme detare ndërkohë që pala greke e ka bërë duke mbyllur dhe gjiret detare nga njëri eksremitet në tjetrin. Vetëm nga kjo mangësi Shqipëria humbiste 34 km2 sipërfaqe detare në Gjirin e Sarandës ndërsa Greqia fitonte 8 miliardë m2 sipërfaqe detare vetëm në Gjirin e Korfuzit.
Pyetja që lind vetiu është:
A e ka përcaktuar me ligj vijën e brendëshme detare Republika e Shqipërisë sot ashtu sic e kërkjon Vendimi i Gjykatës Kushtetuese?
- Së pesti, ndarja e kufirit detar.
Në 1000 vitet e fundit të paktën, distanca mes Korfuzit, ishujve të vegjël në veri të tij dhe tokës kontinentale përballë, pra Shqipërisë ka qenë dhe është kjo që është nuk kemi të dhëna se është zhvendosur…e për pasojë duam apo nuk duam gjerësia detare aty ajo është e zgjidhja duhet gjetur mbi atë det. Por për të arritur te zgjidhja sërish Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë me vendimin nr. 15, datë 15.04.2010 me të cilin rrëzoi marrëveshjen e Qeverisë Berisha na qartëson dhe vendos sërisht piketa që janë të pakapërcyeshme nga askush.
Në lidhje me kuptimin e ujërave detare që na ndajnë me Greqinë Gjykata Kushtetuese thotë:
“Ujra të Brendshme (detare), sipas nenit 8 të Konventës, konsiderohen ujrat në drejtim të tokës, nga vija bazë ku fillon të matet gjerësia e Detit Territorial. Gjerësia e këtyre ujrave përcaktohet në varësi të metodës së zgjedhur për heqjen e vijës bazë. Si metoda të tilla, sipas Konventës, janë dy: a) vija bazë normale, që është vija e zbaticës më të madhe gjatë gjithë bregdetit (neni 5 i Konventës) dhe b) vija bazë e drejtë, e cila formohet nga bashkimi i pikave më të dala të tokës në det (neni 7 i Konventës).
Kjo metodë përdoret veçanërisht në rastet kur bregdeti është shumë i përthyer ose i prerë. Nga sa më sipër, rezulton se bëhet fjalë për Ujra të Brendshme në këtë kuptim, veçanërisht në rastet kur për matjen e Detit Territorial zbatohet metoda e vijës bazë të drejtë. Në një kuptim më të përgjithshëm, në nocionin Ujra të Brendshme përfshihen edhe ujrat e gjireve (sipas kritereve të nenit 10 të Konventës), ujrat e porteve në bregdet, deltat e lumenjve etj.
Për shkak të afërsisë me tokën si dhe rëndësisë që paraqesin në këndvështrim të sigurisë dhe shfrytëzimit për qëllime ekonomike e tregetare, Ujrat e Brendshme konsiderohen si pjesë e territorit të shtetit bregdetar. Sovraniteti territorial i këtij shteti shtrihet plotësisht në këto ujra, në hapësirën ajrore mbi to si dhe në shtratin e detit dhe nëntokën e tij poshtë këtyre ujrave (neni 2 i Konventës). Megjithatë, në raste dhe pjesë të caktuara të Ujrave të Brendshme, anijeve të shteteve të treta mund t’u njihet e drejta e kalimit paqësor.
Det Territorial (Ujra Territoriale) është ai rrip ujor pranë bregdetit, në të cilin shteti bregdetar ka të drejtë të ushtrojë sovranitetin e tij. Sipas nenit 2 të Konventës, edhe këto ujra konsiderohen si pjesë integrale e padiskutueshme e territorit të këtij shteti, si dominium i tij. Asnjë shtet nuk mund të mohojë apo vërë në dyshim të drejtat dhe detyrimet e shtetit bregdetar mbi Detin Territorial, të njohura e ushtruara në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare. Gjerësia e Detit Territorial mund të shkojë deri në 12 milje detare, nga vija bazë që përcaktohet në përputhje me dispozitat e Konventës (neni 3 i Konventës). Po sipas Konventës, sovraniteti i shtetit bregdetar shtrihet plotësisht edhe në hapësirën ajrore mbi Detin Territorial si dhe në shtratin e detit dhe nëntokën e tij poshtë këtyre ujrave (neni 2/2 i Konventës).
Në kushte normale kur mes dy shteteve ka gjerësi më të madhe se 24 milje detare, secili prej shteteve gëzon qetësisht 12 miljet e veta mbi të cilat ka autoritet dhe sovranitet të plotë por në rastin konkret në pjesën dërrmuese të detit që ndajmë gjerësia është më e vogël e për pasojë secili nga ne duhet të tërhiqet nga gjerësia 12 milje. Pra në parim në asnjë pikë shteti grek nuk mund të arrijë 12 milje në ngushticën e Korfuzit pasi do duhej të tërhiqeshim ne, ka vetëm një pikë ku gjerësia 12 milje mund të arrihet dhe ajo është pjesa mes Ishullit të Othonoit në veri të Korfuzit dhe Gadishullit tonë të Karaburunit, ishullit të Sazanit, pra me pak fjalë shoku Rama nga sa duket paskërka folur që drejt veriut pala greke mund të gjerësohet në 12 milje duke dalur në Ngushticën e Otrantos që është dhe pika strategjike hyrëse nga Deti Mesdhe drejt Detit Adriatik por dhe këtu Ditmiri me shokët harrojnë se vendimi nr. 15, datë 15.04.2010 i Gjykatës Kushtetuese thotë qartësisht se në cdo rast kur ndahet kufiri mes një shteti kontinental dhe një shteti i cili përballë ka ishujt sigurisht që deti i shteit kontinental nuk mund të ketë gjerësi të njëjtë me ishullin përballë. Nuk mundet që Shqipëria të marrë njësoj det sa ishulli i Othonoit me 50 banorë thënë më shkoqur. Në këto raste deti nuk mund të ndahet në mes por do duhet të zbatohet Parimi i Ekitesë (Equite).
Sipas Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në delimitimin e kufijve detarë duhet të zbatohen parimet e drejtësisë e ndershmërisë (equitable principles), përmes të cilëve bëhet e mundur arritja e një zgjidhje të drejtë e të ndershme (equitable solution) mes palëve.
Ky qendrim i GJND do të mbahej në vendimin e saj të vitit 1969 mbi delimitimin e kufijve të Shelfit Kontinental në Detit e Veriut ndërmjet Danimarkës, Hollandës dhe Gjermanisë, ku gjykata theksoi, ndër të tjera, se zbatimi strik i medotës së Vijës së Mesit krijon shpesh pabarazi të theksuara, të cilat shtohen gjithnjë e më shumë me kalimin nga toka në drejtim të detit. Ky qëndrim do të rikonfirmohej po prej saj edhe në vendimin e vitit 1982 mbi ndarjen e Shelfit Kontinental ndërmjet Libisë dhe Tunizisë.
Ndoshta nuk ka vend për tu shqetësuar por se i kujtojmë delegacionit tonë se nga marrëveshja e tyre e deri te zbatimi janë në mes Gjykata Kushtetuese dhe Populli NUK BËJMË KEQ. Precedenti është, këta le të bëjnë si të duan. Një gjë është e sigurtë, i dyti merr dhe gjynahet e të parit.