Kush qëndron pas suksesit të politikanëve më të pushtetshëm sot në botë? “Merita” në jo pak raste shkon tek fituesit e fushatave, të cilët qeverisin për vite popujt e tyre, por ka njerëz të cilët nën hije kurojnë imazhin në publik të liderëve politikë deri në detaje, marrëdhëniet e tyre me median, veshjen, fjalimet politike.
Faxweb.al ka përmbledhur disa nga strategët më të rëndësishëm të liderëve botërorë për t’i krahasuar me politikën shqiptare dhe “PR-in” që bëhet në Shqipëri.
Trump dhe ish-modelja e Ralph Lauren
Shumë njerëz mund të pyesin se kush është njeriu që qëndron pas imazhin të Presidentit amerikan Donald Trump. Bëhet fjalë për ish-modelen 29-vjeçare, Hope Hicks, e cila kujdeset për çdo dalje të Presidentit që prej fushatës për zgjedhjet presidenciale.
Hicks, 29-vjeç, nuk ka një profil të lidhur me median në të shkuarën e saj, përveç një eksperience me organizatën “Trump”, ku u pikas nga Trump, dhe më pas u zgjodh si shefe e PR-it në fushatën përballë Hillary Clinton-it.
Ish-modelja e Ralph Lauren, konsiderohet si ‘pllakë’ çeliku, për shkak të gjuhës të ashpër të Trump me mediat, avokatët, dhe drejtësinë. Këtu ngec dhe përvoja e saj profesionale, pasi në çështjet ligjore, Hicks ka njohuri të kufizuara.
Femra dhe për kanadezin Trudeau
Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau ia ka besuar imazhin e tij, Kate Purchase, e cila është drejtoresha e komunikimit me mediat në stafin e Trudeau dhe një nga njerëzit e tij më të besuar. Purchase 31-vjeç, ka qenë më parë aktore, dhe ka arritur t’i mbijetojë kancerit. Ajo është njeriu kyç në marrëdhëniet me mediat prej 3 vitesh në qeverinë kanadeze.
Kate u jep lirinë ministrave të thonë në media atë që duhet të thonë. Puna e asaj është që Trudeau të duket sa më mirë.
Strategjia e saj është e qartë: Të merret me gjithçka përfshirë dhe perceptimin e njerëzve në mediat online dhe rrjetet sociale.
Nëse profili i Trudeau ju duket i ngjashëm me atë të Erion Veliajt, atëherë duhet t’i jeni mirënjohës kësaj zonje, Kate Purchase .
Duke kaluar Atlantikun, gjërat vijnë dhe bëhen edhe më interesante.
Macron dhe Sibeth Ndiyae
Presidenti francez Emmanuel Macron, në krye të komunikimit të tij me mediat, ka vendosur Sibeth Ndiyae, e lindur në Senegal dhe nënë e tre fëmijëve.
Sibeth, ka drejtuar marrëdhëniet me mediat përgjatë fushatë dhe gjatë presidencës së Macron.
E diplomuar për filozofi politike dhe ekonomi shëndeti, Ndiyae është strategia e fushatës së suksesshme “Macron”, në Francë.
Merkel pajton një kompani
Lutz Meyer, shkruan gazeta gjermane Bild është burri që qëndron pas suksesit të Merkelit.
Shefi i agjencisë së komunikimit “Blumberry”, ka drejtuar prej 12 vitesh fushatat elektorale të CDU-së dhe imazhin e kancelares Angela Merkel.
Që nga reklamat televizive deri tek futja e “portokalles” në fushatë, kanë qenë idetë e Meyer…
Së bashku me ekipin e tij, Meyer merret me çdo detaj në marrëdhënien e Merkel me publikun.
I famshmi Vladislav Surkov i Putin
Kushdo që ka interes mbi politikën ruse, patjetër njeh dhe figurën e padiskutueshme të Vladislav Surkovit. Në fillim drejtor PR-i, ndërsa sot roli i tij zyrtar është nënkryetar i administratës presidenciale, me një ndikim të padepërtueshëm.
Krijuesi i konceptit të “demokracisë sovrane”, akuzohet nga Perëndimi si njeriu që ka kthyer televizionin në një makine të propagandës adhuruese të Putinit.
Surkov ka shërbyer si këshilltar personal i Putinit prej shumë vitesh dhe është akuzuar si njeriu që ka urdhëruar snajperët të vrasin protestuesit në Ukrainë, sipas Heavy.com.
Surkov akuzohet se është një “Mjeshtër i marionetave” në Rusi, si një nga njerëzit që ka frikësuar gazetarët rusë dhe ka kufizuar lirinë e fjalës.
Gazetarët thonë se Surkov ka botuar romane duke përdorur një pseudonim. Pavarësisht akuzave, është i pamohueshëm fakti se Surkov është “truri” që qëndron pas çdo lëvizjeje të Vladimir Putinit.
Po në Shqipëri kush bën PR?
Në ndryshim me liderët më të pushtetshëm të botës, në Shqipëri forma e komunikimit me publikun dhe mediat është ndryshe.
Nëse në Perëndim, artikujt implikues të shefave të PR-it numërohen me gishtat e dorës, në Shqipëri interneti është i mbushur me artikuj që pretendojnë për lidhje okulte dhe financiare mes njerëzve që bëjnë PR-in dhe politikanëve.
Jo pak aludime ka patur për Endri Fugën, këshilltarin më të besuar të Kryeministrit Edi Rama, dhe lidhjet e tij me G99, apo Lëvizjen Mjaft.
Të tjerë pretendojnë se Fuga drejton një zyrë të plotë “ushtrie komentuesish” virtualë.
Armela Krasniqi, zëdhënësja e Kryeministrit Edi Rama, u “shpërblye”, pak muaj më parë me një post të rëndësishëm në administratën publike, si drejtoreshë e ATSH-së.
Dhe sigurisht që nuk mund të harrojmë kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj. Ky i fundit është kapur disa herë mat duke imituar presidentin amerikan, Barak Obama, kurse sot Veliaj duket se ka gjetur një “idhull” të ri: Kanadezin Trudeau.
Zyra e Marrëdhënieve me Publikun në Bashkinë e Tiranës, përflitet se është më e madhe se e ajo e Kryeministrit Edi Rama. Transmetime full HD, ngjyra, drita, PR-i i Veliajt është i kuruar por ende anonim. Nuk ka asnjë të dhënë zyrtare se kush qëndron pas strategjisë së komunikimit të Veliajt.
Ndërsa tek opozita, dy partitë opozitare ia kanë besuar komunikimin me mediat, dy gazetarëve.
Elona Meço, pasi mbuloi me vite ngjarjet e politikës në Top Channel, u mor nga demokratët si drejtoreshë e zyrës së shtypit të Lulzim Bashës.
Shaban Sulçe, gjithashtu gazetar, është njeriu që merret me komunikimin me mediat tek Lëvizja Socialiste për Integrim.
Partitë e tjera politike, nuk i kanë bërë publik njerëzit që merren me komunikimin me mediat.
Shumë prej tyre janë jozyrtarë, disa të pakualifikuar, por fakti është se në dallim me ata që duam t’ju ngjajmë (SHBA, Europë, etj), jemi ende larg.
Fjola Graçi-Faxweb.al