Deputetët e PS-së pa praninë e opozitës kanë mbledhur sot Komisionin Parlamentar për çështjen ‘Tahiri’.
Sipas kreut demokrat të këtij komisioni, Edi Paloka, ky është skandali i rradhës që është bërë nga ana e kryeministrit Edi Rama.
Ai thotë se Rama ka urdhëruar deputetët e tij që të të uzurpojnë drejtimin e komisionit duke shkelur haptazi ligjin për Komisionet Hetimore dhe Rregulloren e miratuar vetëm një javë më parë nga ky Komision.
Deklaratë e Kryetarit të Komisionit Hetimor Parlamentar “Tahiri”, Edi Paloka:
Një tjetër skandal i Ramës me zbatimin e ligjit.
Urdhëron deputetët e tij të Komisionit Hetimor Tahiri, të uzurpojnë drejtimin e komisionit duke shkelur haptazi ligjin për Komisionet Hetimore dhe Rregulloren e miratuar vetëm një javë më parë nga ky Komision.
Neni 12 i ligjit ”Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, thotë: Pika1. Mbledhjet thirren dhe drejtohen nga kryetari dhe/ ose me autorizimin e tij nga zv/Kryetari.
E njëjta është përcaktuar edhe në nenin 7 të rregullores.
Pika1: Mbledhjet thirren dhe drejtohen nga kryetari dhe/ ose me autorizimin e tij në çdo rast nga zv/kryetari i Komisionit.
Data, ora dhe vendi i mbledhjes së Komisionit, caktohen nga kryetari, pasi këshillohet me zv/Kryetarin.
Si kryetar i Komisionit Hetimor “Tahiri”, informoj gjithë opinionin, se sot jo vetëm nuk e kam thirrur komisionin hetimor siç përcaktohet nga ligji, por pas interesimit të administratës të Kuvendit dhe të komisionit i kam njoftuar se sot nuk do të ketë mbledhje të Komisionit Hetimor.
Pra, mbledhja e këtij komisioni nga deputetët e Ramës, pa autorizimin e kryetarit, është një shkelje e hapur e ligjit nr. 8891, datë 2.05.2002, për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit.
Rama pasi privatizoi shtetin, prokurorinë dhe gjykatat, tani po kërkoj të privatizojë edhe parlamentin shqoptar duke u dhënë urdhër deputeteve të tij, që duke shkelur ligjin të uzurpojnë drejtimin e një komisioni hetimor që është kërkuar nga opozita, për të vërtetuar lidhjet kriminale të kësaj qeverie dhe të vetë kryeministrit rama me kultivimin dhe trafikun e drogës.
Ky akt skandaloz bëhet me qëllimin e vetëm që të tërheqë vëmendjen e opinionit nga një tjetër dhunim i rëndë.
Sot dhjetëra qytetarë shqiptarë të dhunuar nga policia e Ramës dhe prokuroria e privatizuar prej tij, po kërkohet të dënohen vetëm sepse kanë mbrojtur një të drejtë elementare të tyre. Pikërisht për të tërhequr vëmendjen Rama ka urdhëruar shkeljen e ligjit në Komisionin Hetimor.
(E.K/FAXWEB.AL)