Tërmetet e ditëve të fundit që u ndjenë në jug të vendit, shkaktuan jo pak panik tek banorët e Vlorës, Himarës, Gjirokastrës dhe Tepelenës.
Ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave thonë se nuk ka vend për alarm.
Sizmiologu, Rrapo Ormeni, shprehet se lëkundjet 5-6 ballë janë normale pasi vendi ynë ndodhet në një zonë me aktivitet sizmik të lartë.
“Shqipëria këto tërmete i ka normale. Gjatë vitit bien disa tërmete të tilla në zona të ndryshme të vendit, janë tëmete të cilat ndihen fort, janë të frikshëm por në përgjithësi nuk shkaktojnë dëme. Dëmet e tërmeteve fillojnë me magnituda më të larta, kryesisht tek magnituda 5 ose itensiteti me epiqendër 7.”
Tërmeti i 19 majit, është pasuar nga 30 lëkundje, të cilat sipas Ormenit do të pasohen edhe nga të tjera në ditët e ardhshme.
“Do të ketë lëkundje që vazhdojnë disa ditë. Sipas madhësisë së goditjes kryesore kur është e këtij rangu vazhdojnë disa ditë, kur është e madhe vazhdojnë me muaj dhe kur është shumë e madhe vazhdojnë me vite derisa në vatrën e tërmetit të vendoset gjendja e ekuilibrit, të çlirohet e gjithë energjia”.
Lidhur me pyetjen se si duhet të të veprojmë kur ndodhin termite. Eksperti Ormeni ndan disa këshilla:
“Gjithonë duhet të ruhet qetësia, të vendosesh nën një objekt më të fortë, një tavolinë. E shikon që kaloi goditja kryesore, nuk ka më, e mira është të dalësh jashtë. “
Në jug të vendit tërmeti i dytë 6 ballë, shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale ku 9 shtëpi janë kthyer në të pabanueshme. (E.V/Faxweb.al)