Mbrojtësi i Real Madrid, Marcelo rrezikon deri në 4 muaj burg, si dhe një gjobë prej 750 mijë eurosh për fshehje të të ardhurave.
Siç shkruan El Mundo, braziliani do të dalë të martën para gjykatës për t’u përballur me akuzën e fshehjes së të ardhurave, të përfituara nga të drejtat e imazhit.
Mbrojtësi kishte fshehur taksa me vlerë deri në 500 mijë dollarë, pasi i kishte kaluar të drejtat e imazhit te një kompani uruguajane të quajtur “Birsen Trade SA”, duke shmangur taksimin në Spanjë.
Ai gjithashtu kishte arritur të shmangte edhe 150 mijë dollarë të tjera në vitin 2011 dhe 2012.
Por braziliani mund të shmangë burgun, pasi në Spanjë dënimi deri në 2 vite mund të shmanget me një gjobë.
Duke ndjekur shembullin e Leo Messit, Cristiano Ronaldos, Mascheranos si dhe shumë lojtarëve të tjerë, së bashku me interesat, Marcelo do të paguajë një gjobë prej 1 milion eurosh, për të liruar veten nga problemet gjyqësore.
Kujtojmë se 30-vjeçari është transferuar në Madrid që nga 2007, ndërsa ka luajtur plot 450 ndeshje, duke fituar edhe 4 Champions League.
Kohët e fundit ai është lidhur me një kalim tek Juventus, pas transfertës së shokut të tij, Ronaldos, por duhet të presim deri në merkaton e Janarit, nëse kjo gjë do të ndodhë.