Familja Geci, nga Llausha e Skenderajt, me anë të një deklarate ka akuzuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, se po përgatit vrasjen e anëtarit të saj, Gani Geci.
Përmes kësaj deklarate, familja Geci ka kërkuar nga Policia e Kosovës, dhe nga bashkësia ndërkombëtare, që të mos lejojnë të ndodhë një vrasje në familjen e tyre, në të kundërtën ata do t’i përgjigjen në të njëjtën formë Thaçit.
“Të nderuar qytetar të Kosovës, të nderuar miq të vendit tonë, ju që jeni në çdo hapë mbrapa të mirës së vendit tonë, dua të ju informoj se bashkësia ndërkombëtarë ka ngrit shqetësimin e vet për likuidimin e vëllait tone Gani Gecit nga bandat dhe banditët e Hashim Thaçit dua të ju them me keqardhje se nëse dikush tenton apo e provon që vëllain tonë të e kërcënon apo edhe tenton ta vret apo edhe e vret, ta keni të qartë ju opinioni i gjërë që ne familja Geci nga sot e tutje Hashim Thaçi do merr të gjithë përgjegjësin për çdo eventualitet qe i ndodh Ganiut”, thuhet në deklaratë.
“Ne do i përgjigjem në formën e njëjtë Hashim Thaçit, e them shumë më keqardhje që këto fjalë nuk duhet të fliten nga unë por jam i detyruar pa dashjen time duke e ditur që disaherë kanë dashur që vëllain tonë të na vrisnin por zoti e ka shpëtuar, tani i bëjë thirrje policisë së shtetit, sigurimit të brendshëm të shtetit, bashkësisë ndërkombëtare, Eulexit, që të jeni vigjilent dhe mos të lejojnë që kjo ngjarje të ndodhe, për ndryshe ne do detyrohemi të i dalim zot vetes dhe familjes ne mënyrën tone ,ju lutem ju të gjithë të lartpërmendurit qe këtë shqetësim tone ta merreni me kujdes te veçante, ndoshta dikush edhe donë që kjo ngjarje të ndodhë por ne nuk duam e nëse detyrohemi ta kuptojnë të gjithë se ne qëndrojmë në mbrojtjen e familjes dhe vëllait tonë, me respekt nga Familja GECI”, përfundon deklarata.
Ditë më parë, Gani Geci, ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka folur për vrasjen e Ahmet Krasniqit, duke e akuzuar presidentin Hashim Thaçi se ka dhënë urdhër për vrasjen e tij.
“Hashim Thaçi urdhërdhënës për vrasjen e Ahmet Krasniqit, duke u munduar t’i ik Gjykatës Speciale po mundohet t’i nderojë heronj. Unë dhe Thaçi do të takohemi në Gjykatën Speciale”, ka thënë Geci.
Tutje Geci ka kërkuar që Presidenti të dorëzohet para Tribunalit të Hagës.
“I kërkojmë Hashim Thaçit të dorëzohet para Hagës. Do të jem dëshmitar për vrasjet politike të tij pas luftës, familjet patriotike janë vrarë me urdhër të Hashim Thaçit”.
Geci ka thënë se Thaçi ka qenë në krye të drejtorisë politike të UÇK-së dhe ka qenë njeriu kryesor për Drenicë.
Ish-deputeti i Kuvendit, në një intervistë për Frontal të T7, ka treguar se si gjatë kohës së luftës ishte lëshuar një flet arrest për Thaçin dhe Rexhep Selimin, nga komandantët e Drenicës.
“Kur janë mbledhë komandantat e Drenicës kanë lëshu flet arrest për Hashim Thaçin dhe Rexhep Selimin. Arsyeja ka qenë se ata kanë vepruar në kundërshtim me Drenicën. Aktakuza për këtë gjë ekziston”, ka thënë Geci.
Kjo gjë sipas tij kishte ndodhur ende pa u fuqizuar Hashim Thaçi në UÇK.
Këto deklarime të Gani Gecit janë aktualizuar me rastin e rivarrosjes së eshtrave të Ahmet Krasniqit në Kosovë.