Ndërsa në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së diskutohej djegia e mandateve të deputetëve të kësaj forcë, deputetët e LSI-së, e cila ende nuk është shprehur zyrtarisht për bashkimin apo jo me këtë aksion politik, kanë publikuar në profilet e tyre zyrtare miratimin e këtij të fundit.
Edmond Panariti, Viktor Tushaj, Flioda Kërpaçi, Klajda Gjosha, Nora Malaj, Kejdi Mehmetaj, Silva Caka, Endrit Brahimllari kanë postuar në Facebook qëndrimin pro ndaj djegies së mandateve të tyre të deputetit duke e shprehur sipas qëndrimit të tyre personal. Burime nga selia e LSI-së bëhet me dije se do të ketë dhe një komunikim zyrtar për këtë çështje, çka me shumë gjasa do të çojë në lënien e mandatit të gjithë përfaqësuesve të kësaj force politike.
“Parlamenti është i ligjshem edhe pa opozitën, thote maxhoranca. Po patjeter, sigurisht ashtu si thoni ju është! Sepse sipas këtij arsyetimi, të ligjshem ishin edhe Stalini, Enveri dhe Hitleri. Shtypen, vrane dhe prene me ligj dhe në emer të tij. Madje ky i fundit e dogji fare parlamentin. Jeni të “ligjshem” sepse akoma se keni kuptuar apo nuk doni ta kuptoni, që jemi në shtetin e të drejtës dhe jo të ligjit. Në shtetin, ku liria dhe e drejta e individit është e shenjte dhe qendron mbi të gjitha“, shkruan Panariti.
Menjëherë pas reagimit të një prej figurave qendrore të LSI-së, ish ministër në legjislacionet e shkuara kanë reaguar dhe deputetët e tjerë.
“Çvlerë ka mandati kur ai helmon popullin e tij?“, shkruan deputetetja Kërpaçi
“Ky kuvend i marrë peng nga krimi nuk është më vendimi i kuvendimit. Arroganca e maxhorancës kriminale po fundos vendin“, shkruan deputeti Viktor Tushaj.
“Konsensusi i vetëm i opozitës është të djegë qeverinë e dalë nëpërmjet zgjedhjeve të inkriminuara dhe vjedhjes së votave”, shkruan Gjoshaj.
Deputetja tjetër e LSI-së Kejdi Mehmetaj shkruan: Mandatet nuk janë të deputetëve por të qytetarëve! Ata folën qartë dhe fort ditën e shtunë.
Kundër regjimit kriminal të Edi Ramës!
“Edi Rama e kthehu Parlamentin ne strehe te krimit te organizuar. Ky Parlament eshte i krimit te organizuar dhe jo i qytetareve.
Ketij Parlamenti i dhimbset me shume kallçuku dhe kerpudha e Edi Rames sesa jeta e qytetareve“, shprehet Braimllari.
Ndërsa deputetja Silva Caka shprehet se: Kam lindur në qytetin që u çlirua i pari nga pushtimi nazist dhe nuk pranoi zgjedhën e armikut.
Sot përfaqësoj më shumë se kurrë ata qytetarë të Skraparit, të cilëve u mohohet buka e fëmijëve, shërbimet bazike dhe e drejta për të jetuar si qytetarë të Europës. Mandati i tyre është për të djegur Edi Ramën!
Ashtu siç shporrën pushtuesit, ashtu do të shporrin edhe këtë antishqiptar, që kujton se Shqipërinë e ka gjënë e tij, e mund të bëjë ç’të dojë me të!
Kurrë nuk do t’i dorëzohemi krimit, narko-trafikut, varfërisë, oligarkisë, autokracisë e askujt që i përfaqëson ato në qeveri e në Parlament.
Gjithashtu dhe ish zv.ministrja e Arsimit Nora Malaj ka deklaruar se do të dëgjojë zërin e qytetarëve që folën në protestën e 16 shkurtit.
“Dashuria për popullin që të rrit dhe të mëkon me atdhedashuri e patriotizëm është mandati më i madh i çdo kujt prej nesh! Lotët e popullit tim , në datën 16 shkurt, janë revolta më e madhe e këtij populli që nuk tuten nga diktatura e vendosur nga ky rregjim anti popullor . Fundi i diktaturës është çështje orësh . Populli shqiptarë ka lindur bashkë me lirinë se rrënjët i ka në Iliri e nuk duron dot institucionet e kapura.Fundi i diktaturës është vetëm çeshtje orësh. Për lirinë e vendit tim nuk ka kompromist me të keqen !”
Deputeti Shezai Rrokaj në një postim të gjatë arsyeton se pse opozita duhet të marrë përgjegjësitë e saj:
“A e zgjedh mazhoranca opozitën? Në një kuptim të parë jo, sepse ato janë grupime me qasje të ndryshme për progresin social. Por në një kuptim tjetër sjellja e mazhorancës qeverisëse tek ne ka thirrur në skenë një opozitë e cila duhet t’u japë zgjidhje disa problemeve të mprehta sociale, si: Të kthejë shpresën me qëllim që vendi të mos braktiset prej qytetarëve për shkak mungesës së saj, që vjen prej keqqeverisjes. Të ngrihet dhe t’u prijë qytetarëve kundër taksave të larta dhe papunësisë, për një arsim cilësor e shendetësi për të gjithë. Të ngrihet kundër drejtësisë së kapur dhe regjimit oligarkik të PPP-ve, kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe drogës. Të ngrihet kundër blerjes së votave, për zgjedhje të lira. Të kërkojë çeljen e negociatave. T’u kthejë besimin qytetarëve se kjo opozitë nuk do të përsërisë gabimet e së shkuarës as edhe gabimet e kësaj qeverie. Gjendja e sotme e shqiptarëve nuk lë shteg për interpretime. Mazhoranca me qëndrimet e saj është drejt diktaturës nëpërmjet kapjes së shtetit në të gjitha hallkat e tij, kurse opozita duhet të veprojë pa mëdyshje duke marrë përgjegjësinë që i takon për të nxjerrë vendin nga kjo situatë”.