Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur ti hapë rrugë përfundimit të projektit “Veliera”, duke pushuar gjykimin e çështjes dhe prishur vendimin e Gjykatës Administrative Durrës. Dispozitivi i vendimit të Apelit lë të kuptohet se ndryshe nga gjykata e Shkallës së Parë është lejuar edhe ndërtimi në zonën arkeologjike “A”, pavarësisht se kjo gjë që u kontestua fort prej aktivistëve të shoqërisë civile.
Trupi gjykues me relator Kastriot Selitën, anëtar Bernina Kondi dhe Enkeljeda Metaliaj (Softa) vendosi “Prishjen e vendimit nr. 71, datë 13.02.2018 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës dhe pushimin e gjykimit të çështjes. 2. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës paditëse”.
Më herët Gjykata vendosi të bllokonte punimet në zonën arkeologjike “A” duke pranuar pjesërisht padinë, por shpalli moskopetencë për disa pika të tjera të padisë dhe po ashtu lejoi bashkinë që të vijonte punën në pjesën tjetër të projektit.
“Detyrimin e të paditurve që, në kuadër të zbatimit të projektit të rivitalizimit të sheshit publik para hyrjes së portit, Durrës, të ndalojnë kryerjen e punimeve ndërtimore në zonën arkeologjike “A” të qytetit të Durrësit, me përjashtim të punimeve që lejohen sipas nenit 2 të Vendimit nr. 237, datë 23.3.2011, të Këshillit të Ministrave”, thuhej në vendimin e Shkallës së Parë.
Sazan Guri i cili përmes “Menvgroup” ka bërë padinë kundër ndërtimit të objektit i tha BIRN në një bisedë telefonike se nuk ishte në dijeni të vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit. Guri tha se në atë gjykatë po zhvillohej një gjyq me tjetër trup gjykues me relator Arjan Qafën, por të njëjtën padi dhe paditës, i cili ishte në vijim dhe seanca e rradhës ishte më 19 mars.