Vijojnë protestat e mjekëve të QSUT-së kundër dhunës ndaj bluzave të bardha, për të dytën ditë radhazi në Tiranë. Pas disa rasteve flagrante të disa qytetarëve që ushtruan dhunë ndaj mjekëve në Lezhë, Durrës dhe specializantes në Tiranë, për të kundërshtuar këto akte ekstreme mjekët kanë dalë sërisht në protestë.
Duke sensibilizuar ndaj situatës, paralelisht me protestën e mjekëve në Tiranë, protesta janë zhvilluar edhe nga mjekët në qytetin e Shkodërs , Durrësit dhe të Gjirokastrës. Mjekët shkodran shprehen kundër dhunës duke e cilësuar këtë të fundit edhe si një ndër arsyet e emigrimit të mjekëve jashtë vendit.
Ndërkohë në fjalën e tyre mjekë të QSUT-së në Tiranë ndër të tjera, janë shprehur se mjekët janë të dedikuar për të ndihmuar pacientët e tyre dhe se dhuna ndaj tyre është e paprecedentë duke e bërë punën e mjekut më pak eficente.
Sipas mjekëve, dhuna është tregues i një mjedisi social të rënduar dhe nëse ata nuk janë të sigurt në punën që bëjnë edhe pacientët nuk janë të sigurt po ashtu. Mjekët kanë bërë thirrje të bashkohen të gjithë kundër këtij fenomeni si dhe të rishikohet ligji për dhunën ndaj mjekëve.