I ftuar në studion e Fax News, Paskal Milo tha se nuk shikonte tek protesta e opozitës ndonjë tendencë masive përveç atyre protestave të mëdha që kanë thirrur një herë në muaj dhe sipas tij, kjo nuk do të sjellë asnjë ndryshim rrënjësor.
“Nuk besoj se me ritmin me të cilin i kanë filluar protestat, ato do të vijnë në rritje, sepse nga përvoja them se nëse protestat nuk kanë një simbol dhe reagim qytetar të larguar nga politika, nuk janë produktive dhe nuk shoh të sjellin ndonjë ndryshim rrënjësor. Pavarësisht se protestat kanë sens por në momentin kur kthehen si mjet për të marrë pushtetin përmes rrugëve të dhunshme dhe përmes rrugëve në përgjithësi nuk është zgjedhja e duhur.
Ata që thërrasin protesta duhet të paraqesin disa alternativa, sepse opinionin publik mund ta kesh me vete nëse e bind atë përmes alternativave dhe jo kërcënimeve dhe ultimatumeve ndaj qeverisë. Nga kjo pikëpamje, unë shpreh rezervat e mija se opozita mund ta sjellë këtë ndryshim cilësor”, deklaroi Milo duke komentuar aksionin opozitar dhe protestat e vazhdueshme.
Milo argumentoi se deputetët e rinj të cilët kanë pranuar të marrin mandatet, nga pikëpamja ligjore janë në rregull, ndërkohë që sipas tij, nga pikëpamja morale nxisin tensionet dhe situatat jo normale.
“Nga pikëpamja e legjitimitetit formal këto zëvendësime janë në rregull sepse i parashikon ligji, por nga pikëpamja morale, krijon një tension dhe një situatë jo normale, sepse opozita reale ndodhet në parlament. Ndërkohë opozita e re në parlament nuk e ka tagrin, sepse janë përjashtuar nga partitë ku janë përzgjedhur, dhe nuk e di se në emër të kujt flasin. Vendosja në listë nuk do të thotë se ke edhe mandatin e njerëzve për ti përfaqësuar në parlament. Jemi para një ngërçi që nuk mund të zgjidhet me arnime”.
Duke folur rreth temës se pasojë e kujt është kriza politike të cilën po kalon vendi, Milo tha: “Kjo është kriza e realitetit politik shqiptar, nuk është prodhuar tani nga kjo opozitë, por është si pasojë e Kodit Zgjedhor të ndryshuar në vitin 2008. Ky Kod Zgjedhor vendos autokracinë në partitë politike ku vendosin kryetarët.
Edhe qeveria duhet të ulet për të gjetur një zgjdhje që të bëhen ndryshime të qënësishme në këtë Kod. Por unë në këtë rast nuk besoj se PS do ti ç’bëjë ato ndryshime që u bënë me kërkesën e saj dhe në marrëveveshje me PD, pra nuk besoj se PS don ti bëjë këto ndryshime në sistem. Këtu mendoj se do të qëndrojë edhe ngërçi i ardhshëm”.
https://www.facebook.com/faxweb.al/videos/395153397986265/
(F.GJ/FAXWEB.AL)